Testet mjekësore në futbollin e Kosovës, sa për “sy e faqe”

Prishtinë | 20 Jan 2022 | 07:49 | Nga Ekonomia Online

Derisa klubet e futbollit kudo në botë i kanë primare testet mjekësore për futbollistët, një gjë e tillë nuk është se praktikohet me kujdes edhe në futbollin e Kosovës.

Para fillimit të stinorit dhe në rast të transferimeve, klubet e huaja zakonisht i bëjnë testet mjekësore të detajizuara për futbollistët.

Por, te klubet vendore mjaftojnë vetëm testet bazë, gjë e cila nuk po vlerësohet si profesionale nga njohësit e futbollit kosovar.

Ka pasur shumë raste kur klubet kosovare kanë transferuar futbollistë dhe pas një kohe të shkurtër, lëndimi i shfaqur nga më herët ua çoi huq investimin e bërë për futbollistin në fjalë.

FrontOnline ka kontaktuar me ish-futbollistin Erdin Hashani dhe gazetarin Lavdim Pireva në lidhje me këtë çështje.

Ata thonë se testet mjekësore të detajuara duhet të jenë obligim për klubet.

Ndërkaq, Art Sopi, fizioterapeut te klubi i Llapit, thotë se klubi i tij i kushton shumë rëndësi këtij aspekti, kurse Atdhe Halimi nga Qendra e Mjekësisë Sportive nuk ka dashur të flasë për gazetën.

Sopi: Kontrollet mjekësore te Llapi bëhen të detajuara

Art Sopi, fizioterapeut në klubin e Llapit ka deklaruar se stafi mjekësor te klubi llapjan duhet të jetë i informuar për gjendjen e futbollistëve.

Ai tregon se çdo futbollist i transferuar i nënshtrohet këtyre testeve.

“Kontrollimi mjekësor para transferimit të futbollistit te Llapi është i detajuar pasi ne stafi mjekësor duhet të informoheni nëse futbollisti është i gatshëm ta jap maksimumin”, ka thënë Art Sopi duke vazhduar:

“Në bashkëpunim me dr.Afrim Shabanin nga Mjekësia Sportive, bëhet ekzaminimi mjekësor duke nisur nga matja e gjatësisë dhe peshës, matja e gjatësisë dhe gjerësisë së çdo pjese trupore, testet muskulore dhe ligamentet. Poashtu, testohet sistemi kardiovaskular dhe në fund pas raportit të stafit mjekësor për gjendjen e futbollistit, vendoset për nënshkrimin e kontratës”.

Për fund, Sopi tregon se të premten Llapi udhëton në Turqi dhe se të gjithë futbollistët janë në gjendje perfekte.

“Llapi të premten udhëton drejt Turqisë për fazën përgatitore dhe gjendja e të gjithë futbollistëve është perfekte”, përfundoi të mërkurën për FrontOnline Art Sopi.

“Testet mjekësore duhet të jenë obligative”

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe tani trajner, Erdin Hashani e ka komentuar çështjen në fjalë duke thënë se çdo klub duhet t’i ketë testet mjekësore obligative.

Për këtë, ai ka dhënë edhe disa arsye.

“Mendoj se duhet me qenë obligative që çdo futbollist t’i nënshtrohet testeve mjekësore. Sepse kostoja e futbollistit po është shumë e lartë dhe normalisht se duhet t’i nënshtrohet çdo testi një futbollist para se të nënshkruajë kontratë”, deklaroi Erdin Hashani.

Sipas tij, është gjë normale të bëhen testet mjekësore.

“Kemi shumë e shumë raste nëpër botë që kanë ndodhur kur kanë nënshkruar kontratë me futbollistin dhe ai iu ka dalur i lënduar, e gjithë kjo për shkak të neglizhencës së klubit. Mendoj se për këtë, klubet duhet të jenë të vetëdijshme sepse mund të ndodhin gjëra të tilla. Derisa po paguajnë futbollistë me kosto të lartë, normalisht se duhet t’i nënshtrohen testeve mjekësore”, potencoi ish-futbollisti i shumë skuadrave në Kosovë dhe Shqipëri.

Pireva thotë se klubet duhet të jenë më të vëmendshme

Gazetari nga “Telegrafi”, Lavdim Pireva ka deklaruar se asnjë klub në Kosovë nuk bën kontrolle të detajuara.

Ai tregon për FrontOnline se vetëm në fillim të kampionatit dhe në pauzën dimërore, klubet bëjnë disa teste jo të detajuara.

“Klubet në Sperligën e Kosovës ka disa vjet që harxhojnë mijëra euro për pagat dhe transferimet e lojtarëve. Shumë transferime që bëhen edhe pse shifrat për pagat e tyre janë marramendëse për nivelin tonë, pothuajse asnjë klub nuk iu bën teste mjekësore të detajuara”, ka thënë fillimisht Pireva, duke vazhduar:

“Sa e di unë, në fillim të kampionatit, por edhe në pauzën dimërore, klubet bëjnë disa teste mjekësore të thjeshta në Qendrën Sportive, por jo ato të detajuarat”.

Pireva zbulon se ka pasur disa raste kur futbollistët kanë nënshkruar kontrata duke qenë të lënduar.

“Disa herë në Kosovë ka ndodhur që futbollisti të vije i lënduar, duke nënshkruar kontratë, ndërsa pas dy apo tri stërvitjeve janë lënduar, duke munguar me muaj”, zbuloi ai.

“Klubet duhet të jenë më të vëmendshme në këtë drejtim, pasi që nëse një futbollist do të paguhej mbi 50 mijë euro në vit, atëherë do të ishte e udhës që të shikoheshin më në detaje disa gjëra në aspektin shëndetësor”, përfundoi Lavdim Pireva./

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme