Tetë si asnjë, ekipet shqiptare dështojnë në Evropë

Prishtinë | 20 Kor 2019 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Në këtë edicion të garave evropiane në futboll, si asnjëherë më parë, u paraqitën tetë skuadra shqiptare.

Por asnjë prej tyre nuk arriti të kalojë raundin e parë eliminator në dy garat e klubeve në Evropë: Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Madje, Prishtina u eliminua pa mbërritur në raundin e parë, në atë eliminator të Ligës së Evropës, shkruan sot Koha Ditore.

Shqiptarët u përfaqësuan me tri skuadra kampione në Ligën e Kampionëve. Feronikeli përfaqësoi Kosovën, Partizani Shqipërinë dhe Shkëndija Maqedoninë e Veriut. Të tre kampionët dështuan në raundin e parë, por sistemi i garave i UEFA-s ua mundëson që të barten në Ligën e Evropës për raundin e dytë. Pra kanë edhe një mundësi.

Por për ekipet si Prishtina, Kukësi, Teuta, Laçi e Shkupi nuk ka mundësi të dytë, meqë garuan në Ligën e Evropës dhe dështuan në pengesën e parë.

Feronikeli në raundin e parë të “Championsit” u eliminua nga kampioni i Uellsit, The New Saints, pasi kaloi raundin paraeliminator, ku mposhti dy skuadra.

Shkëndija u befasua nga estonezët e Kalju Nomme, derisa Partizani pësoi nga Qarabagu i Azerbajxhanit. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme