Tevez: Futbollistët mund të jetojnë edhe nëse nuk paguhen për një vit

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 21:17 | Nga Ekonomia Online

Ylli argjentinas i futbollit, Carlos Tevez, u ka bërë thirrje lojtarëve që të japin kontributin e tyre për të kaluar krizën e koronavirusit, që ka përfshirë gjithë botën.

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt beson se futbollistët profesionistë të nivelit më të lartë duhet të propozojnë zvogëlimin e pagave të tyre, si kontribut për gjendjen e rëndë.

Lojtari i Boca Junios është duke pushuar aktualisht, si futbollistët thuajse në gjithë botën, për shkak të pezullimit të edicionit në Argjentinë.

Lojtarët e Barcelonës dhe Atletico Madridit janë pajtuar për ulje deri në 70 për qind të pagave, për t’ua mundësuar klubeve funksionimin në gjendjen emergjente në Spanjë. Lojtarë si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappe e Robert Lewandowski kanë bërë donacione në përkrahje të organizatave humanitare që po luftojnë përhapjen e Covid – 19.

“Një futbollist mund të jetojë gjashtë muaj apo një vit pa pranuar pagë”, ka thënë Tevez për America TV në Argjentinë.

“Ne nuk jemi në të njëjtën gjendje me ata që jetojnë me fëmijët e tyre çdo ditë, që duhet të dalin nga shtëpitë e tyre në ora gjashtë të mëngjesit dhe të kthehen në shtatë në mbrëmje, për të ushqyer familjet e tyre. Ne nuk jemi shembulli që duhet të ndjekim në këtë rast, në gjërat tjera po. Duhet të jemi prezentë dhe të ndihmojmë. Është e lehtë për mua të flas nga shtëpia, duke ditur se kam ushqim për fëmijët e mi. Por është situatë shqetësueses për njerëzit e dëshpëruar, ata që nuk mund të lëvizin dhe nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre”, ka thënë Tevez.

Ai ka thënë se edhe klubet e futbollit duhet të përkrahin komunitetin. Ai shpreson se pandemia do të ketë edhe anën pozitive, do të kontribuoj që njerëzit të jenë më përkrahës ndaj të tjerëve.

Tevez 36-vjeçar ka luajtur edhe për Juventusin, ndërsa ka 76 ndeshje për Argjentinën.

Të ngjashme