Tifozët e futbollit nëpër botë kthejnë sytë kah Bundesliga

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Bundesliga e Gjermanisë do të tërheqë shumë tifozë të futbollit në gjithë botën kur në fundjavë të bëhet liga e parë e madhe evropiane që rifillon edicionin pas pezullimit të gjatë për shkak të koronavirusit.

Në rrethana normale, kampionatit gjerman, të dominuar së fundi nga Bayern Muencheni, i mungon marketingu i synuar, ai që e kanë Premier League e Anglisë dhe La Liga e Spanjës, që krenohet me dy klubet më të mëdha në botë sa i takon të ardhurave, Barcelonën dhe Real Madridin.

Ndonëse në një atmosferë jo të zakonshme, pa tifozë në tribuna, Bundesliga pritet të përdorë vëmendjen e gjithë botës së futbollit për të treguar vlerën e saj të vërtetë, raporton Reuters.

“Me Bundesligën si ligën e vetme që do të transmetohet në televizion, unë pres që do të kemi një audiencë miliardëshe”, ka thënë shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.

Në Britani, BT Sport do të transmetojë të gjitha nëntë ndeshjet e Bundesligës këtë fundjavë, duke përfshirë derbin në mes të Borussia Dortmundit dhe Schalke 04.

“Secili ekip i ka nëntë apo dhjetë ndeshjet kampionale për të përfunduar edicionin dhe BT Sport do të jetë me ju në çdo hap të rrugëtimit që premton të jetë një kulm emocionues i edicionit”, ka thënë BT Sport.

Në Skandinavi të gjitha ndeshjet do të jenë të qasshme përmes Viaplay, ndërsa disa ndeshje mund të përcillen në televizionet me pagesë.

Në stadiume nuk do të ketë shikues, do të jenë vetëm rreth 300 persona zyrtarë. Lojtarëve u është thënë mos të pështyjnë, mos të festojnë në grup apo të prekin duart me bashkëlojtarët.

Disa klube do të përdorin muzikë dhe prerje kartoni me figura të tifozëve për të ngjallur atmosferën. Sky ka njoftuar se shikuesit përmes televizionit mund të zgjedhin për të përjetuar ndeshjen me atmosferë të incizuar të tribunave.

Lideri Bayerni luan në udhëtim të dielën ndaj Union Berlinit, ndërsa Bortmundi, që është katër pikë prapa Bayernit, luan ndaj Schalkes të shtunën.

Të ngjashme