Tifozët e Lazios bëjnë thirrje raciste ndaj Bakayokos, e kujtojnë Mussolinin

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Atmosfera në San Siro, ku po zhvillohet gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Italisë mes Milanit dhe Lazios, u shëmtua për shkak të incidenteve raciste që ndodhën mbrëmë.

Disa tifozë të Lazios e ngritën një banderolë për ndër të Benito Mussolinit dhe filluan të bëjnë thirrje raciste ndaj Tiemoue Bakayokos. Para ndeshjes, ata bënë përshëndetje fashiste afër qendrës së qytetit të Milanit, Piazzale Loreto, ku ishte ekzekutuar diktatori fashist në vitin 1945.

Këto incidente ndodhën vetëm një ditë para ditës që Italia e ka si festë kombëtare, për ta shënuar fundin e Nazi-fashizmit.

Incidente të ngjashme vazhduan edhe në stadiumin San Siro, ku tifozët e Lazios e abuzuan në baza racore mesfushorin e Milanit, Tiemoue Bakayoko. Tifozët e Milanit në stadium u përgjigjen duke kënduar në përkrahje të Bakayokos.

Pas ndeshjes, të cilët Lazio e fitoi me rezultat 2:1, klubi e kritikoi ashpër sjelljen e tifozëve të vet, mirëpo i kritikoi edhe mediat që e ngatërrojnë një numër të vogël të tifozëve me shumicën e tifozëve të Lazios.

“Lazio e distancon veten qartësisht nga sjelljet dhe veprimet të cilat nuk i reflektojnë në asnjë mënyrë vlerat e sportit që klubi ynë i ka promovuar që 119 vjet”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Lazio.

“Po ashtu, klubi nuk e pranon tendencën e mediave që t’i konsiderojnë të gjithë tifozët e Lazios fajtorë për veprime që janë kryer nga një pakicë, për arsye që s’kanë të bëjnë asgjë me pasionin sportiv”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme