Tifozët e Liverpoolit kanë nisur festën për titullin

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Pasi dha asistimin, portieri i Liverpoolit, Alisson, nuk deshi të humbiste festën.

Edhe nëse kjo nënkuptonte të vraponte gjithë fushën për të shkuar te Mohamed Salah, që shënoi golin e dytë dhe të fundit të Liverpoolit.

Në atë moment, në një pasdite të ftohtë në Liverpool, Salah ishte pa fanellë. Ai hoqi atë dhe festoi para tifozëve të skuadrës, pasi mori topin e gjatë të Alissonit dhe vrapoi rreth 60 metra për të shënuar golin me gjuajtjen e fundit të ndeshjes ndaj Manchester Unitedit, shkruan sot Koha Ditore.

Kompletoi një fitore 2:0 dhe festa e Salahut ishte sikur u largua një barrë e madhe.
Liverpooli ka krijuar një epërsi prej 16 pikëve në krye të renditjes pas 23 xhirove dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar se rivalët e tjerë.

“Më erdhi mendimi se nuk do të shënoj në këtë ndeshje. Por, e përgatita veten mendërisht për të mbajtur qetësinë”, ka thënë Salah menjëherë pas ndeshjes.

Epërsia ishte e ngushtë 1:0 deri në minutat shtesë, që ishte krijuar pas golit me kokë të Virgil van Dijkut në minutën e 14-të. Ndeshja i pati dy anë.

Derisa Manchester Unitedi është 30 pikë prapa në vendin e pestë, Liverpooli është pranë t’i japë fund pritjes 30-vjeçare për titull të Anglisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme