Tifozi dënohet me shtatë vjet e gjysmë burg për tentim vrasje

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Një tifoz i skuadrës Universitatea Cluj është dënuar me shtatë vjet e gjysmë burg për tentim të vrasjes së një polici gjatë ndeshjes së plejofit për mbetje në elitën e Rumanisë, vitin e kaluar.

Vidrean Ovidiu Traian është shpallur fajtor për tentim vrasje pasi e ka goditur policin pas koke me ulëse, duke e lënë atë pa ndjenja dhe të mbuluar me gjak, gjatë ndeshjes së zhvilluar para një viti ndaj skuadrës AFC Hermannstadt në Cluj Arena.

Incidenti ndodhi gjatë përplasjes në mes të tifozëve të Universitateas dhe policëve. Tifozët kanë hedhur ulëse, gurë dhe gjëra tjera në drejtim të policëve, ka raportuar Reuters.

Shumë tifozë vendas kishin kaluar deri në fund të tribunës për të shprehur frustrimin e tyre për atë që e vlerësuan si brutalitet të policisë, pas hyrjes së tifozëve të Universitateas në fushë.

Traian po ashtu është urdhëruar të paguajë 18 mijë euro për dëmet, thuhet në një komunikatë të gjykatës së Clujit. Vendimi nuk është përfundimtar dhe mund të apelohet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme