Tite kritikon federatën se nuk po i përmbahet orarit të FIFA-s

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Seleksionuesi i Brazilit, Tite, ka kritikuar Konfederatën e Futbollit të Brazilit se nuk po u përmbahet datave të caktuara për ndeshje të përfaqësueseve nga FIFA dhe i vjen keq se i duhet të marrë lojtarët nga klubet para ndeshjeve të rëndësishme në ligë apo Kupë në Brazil, shkruan Reuters.

“Kur ka ndeshje të përfaqësueseve, atëherë nuk duhet të ketë ndeshje të klubeve”, ka thënë Tite për gazetarët para ndeshjes miqësore të së enjtes që Brazili e luan kundër Senegalit në Singapor. “Unë zgjedh lojtarët e mi dhe e bëj këtë me zemër të rënduar”.

Tite ka ftuar tetë lojtarë nga skuadrat braziliane për ndeshjet me Senegalin dhe Nigerinë dhe ftesat e tyre nënkuptojnë më tepër sesa vetëm udhëtime lodhëse, transmeton Koha Ditore. Me Nigerinë luan po në Singapor të dielën.

Lideri i ligës braziliane, Flamengo, duhet të përballojë mungesën e qendërmbrojtësit Rodrigo Caio dhe sulmuesit Gabriel Barbosa së paku në dy ndeshje në ligë, ndërsa Palmeirasi, që është pesë pikë prapa në vend të dytë, duhet t’ia dalë pa portierin Weverton.

Të ngjashme