Tovërlani s’shpreson për titull: U vërejt lodhja nga ndeshja e mesjavës

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, ka thënë se përkundër fitores kundër Vushtrrisë, skuadra e tij ishte paksa e lodhur nga ndeshja e mesjavës kundër Ballkanit, përderisa e ka pranuar se do ta ketë shumë të vështirë të garojë për titullin e kampionit, edhe pse s’e ka matematikisht të pamundur.

Pas barazimit me rezultat 0:0 kundër Ballkanit në mesjavë, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, kampioni në fuqi Feronikeli arriti të marrë fitore me rezultat 3:1 sot në Drenas kundër Vushtrrisë, që rrezikon të bjerë nga liga në fund të sezonit.

“Nikli” kaloi në epërsi qysh në minutën e nëntë të ndeshjes, falë golit të Van Dave Harmon, ndërsa shtaë minuta më vonë vendasit e dyfishuan epërsinë përmes golit të shënuar nga Mevlan Zeka, e që u asistua nga Da Silva.

Vushtrrisë, që radhitet në pozitën e parafundit në tabelën e Superligës, ia ktheu shpresat për të marrë pikë nga kjo ndeshje Valmir Azemi, me golin e tij të shënuar në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, nga gjuajtja e lirë.

Trajneri Afrim Tovërlani beson se përkundër fitores që e mori skuadra e tij sot, ai e ndjeu lodhjen nga ndeshja e mesjavës.

 “Në fakt, të them të drejtën, kur e arritëm atë rezultatin e hershëm, insistoja ta qarkullojmë topin dhe ta shënojmë edhe golin e tretë që të mos shpenzohemi sepse u pa që ishim paksa të lodhur nga e mërkura”, ka thënë Tovërlani, në intervistën e dhënë për Supersport, pas ndeshjes.

“Por, e pësuam atë golin dhe normalisht që pastaj duhet të kesh kujdes të shtuar pasi që kundërshtari mund të ketë sërish rast dhe ta barazojë rezultatin, që do të ishte shumë keq për ne. Por, mendoj se ndoshta rezultat 3:1 nuk ishte rezultati më real, por më së shumti kanë rëndësi pikët dhe tani mendojmë për ndeshjen e radhës”.

E fitoren e Feronikelit e vulosi Lapidar Lladrovci në minutën e 71-të të ndeshjes, duke ia dedikuar golin lojtarin të lënduar, Përparim Islamit, i cili sot u bë operacion pasi në mesjavë i këputi ligamentet. Kjo fitore Tovërlanit s’i jep shpresa për titull, ndërsa thotë se do të vërehet mungesa e Islamit.

“Në fakt, sa i përket titullit, dihet që kemi mbetur prapa, edhe pse nuk është vendosur matematikisht. Është e vështirë që ato ekipet [para Feronikelit në tabelë] t’i bëjnë tri apo katër gabime e ne të mos e bëjmë asnjë. Unë do të kisha dëshirë, por realisht do të jetë e vështirë”, shtoi Tovërlani.

“Mungesa e Përparimi do të ndihet, mirëpo duhet të luftojmë me këta futbollistë që i kemi, me këtë potencial që e kam gjetur brenda skuadrës. Rruga më e shkurtë është kupa”.

Të ngjashme