Trajneri i ri i Feronikelit, Sqaron gjithçka Gjonbalaj

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Malësor Gjonbalaj nuk do të jetë trajner i ri i Feronikelit.

Ish-futbollisti i njohur kosovar, përmes një sqarimi, ka treguar se do të vazhdojë ta mbajë pozitën aktuale në klubin nga Drenasi.

Ditëve të fundit kishin nisur spekulimet për një emërim të mundshëm të Gjonbalajt në krye të ekipit kampion të Kosovës në vend të Agim Sopit të larguar.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e Malësor Gjonbalajt:

“Të nderuar sportdashës,

Pasi është përmendur emri im si kryetrajner i KF Feronikelit dëshiroj të sqaroj opinionin publik se unë jam pjesë e KF Feronikelit dhe do të mbetem në pozitën në të cilën kam qenë deri me tani.

Deri në zgjedhjen e një trajneri unë sigurisht do t’i ndihmoj ekipit sepse ky është edhe obligim njerëzor dhe profesional që së bashku me të gjithë kolegët në klub të tejkalojmë këtë situatë momentale..

Është e vërtetë që kam planifikuar dhe udhehequr ndeshjen me Trepçën ’89 sepse ishte e domosdoshme ta fitonim per te pasur nje qetësi më të madhe por në asnjë moment nuk do të jem kryetrajner i ekipit.

Këtë e bëjë për të ruajtur parimin tim profesional dhe moral që si Drejtues Sportiv mos të angazhohem në pozitën e kryetrajnerit.

Në momentin e parë që do të vendosja që të emërohem në pozitë të kryetrajnerit atehere asnjeherë nuk do të kthehesha në pozitën e drejtuesit sportiv, por do të vazhdoja në atë drejtim me intensitet të plotë, gjithnje duke dashur që një praktikë e tillë të vëhet standard në futbollin e Kosovës.

Unë jam trajner futbolli por në KF Feronikeli jam në pozitën e drejtuesit sportiv dhe do respektoj marrëveshjen deri në fund.

Gjithashtu dua të theksoj se arsyeja e angazhimit tim në klub është z. Naser Ramaj i cili në vitet e fundit ka bërë punë të madhe duke ndihmuar në menyrë të jashtëzakonshme futbollin e Kosovës.

E falënderoj për mundesinë, besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme finaciare për të gjithë neve perfshirë avancimin, organizimin dhe mbeshtetjen për Shkollën e Futbollit që ishte dhe do të mbetet synim parësor i imi dhe gjithsesi duhet të jetë parakusht për qëndrueshmerinë e një klubi të futbollit”, ka shkruar Gjonbalaj. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme