Trajneri i Arsenalit i brengosur me lëndimin e Xhakës

Prishtinë | 27 Sht 2021 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Mikel Arteta e ka pranuar se ndihet i shqetësuar se Granit Xhaka mund të mungojë disa ndeshje, pasi mesfushori shqiptar e pësoi një dëmtim në fitoren e Arsenalit 3:1 kundër Tottenhamit të dielën.

Kapiteni i Zvicrës Xhaka u shkel me take nga Lucas Moura dhe iu desh ndihmë për t’u larguar nga fusha pasi e mori një tretman të gjatë mjekësor në fushë, raporton Gazeta Express.

Trajneri i topçinjve Arteta druhet se lëndimi i Xhakës mund të jetë i rëndë dhe ai të mungojë gjatë si pasojë.

“Jam goxha i brengosur sepse nuk duket gjë shumë pozitive në këtë çast”, tha Arteta pas ndeshjes i pyetur për lëndimin e Xhakës.

“Kjo është bukuria e kësaj loje dhe rreziku i kësaj loje, po ashtu. Ishte një ngjarje e madhe për ne, një ndeshje e madhe, për të fituar në mënyrën sesi e bëmë dhe ta ndienim këtë lidhje”, shtoi ai.

Xhaka kishte munguar në dy ndeshjet e kaluara të Arsenalit, për shkak se ishte infektuar me koronavirus gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Zvicrës, por u rikthye në kohë për t’i ndihmuar skuadrës ndaj rivalit të qytetit.

Në Emirates, Xhaka e shijoi fitoren e parë në fushë për Arsenalin këtë sezon në Premierligë, pasi i kishte humbur të tri ndeshjet e para, para se të mungonte në fitoret kundër Norwich City dhe Burnley në dy ndeshjet e kaluara.

Falë kësaj fitoreje, Arsenali tani e kalon Tottenhamin në renditjen tabelore në vendin e 10-të dhe barazohet me të me pikë, secila nga 9.

Të ngjashme