Trajneri i Bayernit mirëpret vendimin për më shumë zëvendësime

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Bayern Muenchenit, Hansi Flick ka mirëpritur të premten vendimin për të lejuar pesë zëvendësime në ndeshjet e pjesës së mbetur të edicionit. Bundesliga vazhdon të shtunën (nesër) pas pushimit prej më shumë se dy muajve.

Liga gjermane është e para prej ligave të mëdha që vazhdon. Ndeshjet do të luhen pa shikues dhe me rregulla strikte për shkak të pandemisë COVID – 19.

Bundesliga të enjten ka aprovuar ndryshimin sa i takon zëvendësimeve. Lejohen pesë zëvendësime në vend të tre sa janë zakonisht, për të ndihmuar skuadrat për të përballuar më lehtë ndeshjet dhe orarin shumë të ngjeshur. Lojtarëve u mungon përgatitja e zakonshme pas pushimit të gjatë.

“Tani kam dy opsione më shumë dhe jam i lumtur për këtë, sidomos në fazën aktuale”, ka thënë Flick në një video-konferencë për media. “Shpresoj që kjo nuk do të përdoret edhe më pas”.

Bayerni, që është lider në Bundesligë me 55 pikë, katër më shumë se Borussia Dortmundi, udhëton që të luajë të dielën me Union Berlinin. Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe nëntë xhiro.

“Ne do të shfrytëzojmë ndryshimin për të zëvendësuar lojtarët e lodhur. Kjo është mundësi e madhe për këto javë me shumë ndeshje. Jam shumë i lumtur për këtë opsion”, ka shtuar Flick.

Lojtarët, që fillimisht kanë kaluar javë të tëra pas bllokimit të Gjermanisë, janë kthyer gradualisht në stërvitje. Fillimisht janë kthyer në grupe të vogla para se të lejohej stërvitja në grupe të plota.

Të gjitha ekipet kanë mbajtur kampe stërvitore për një javë në izolim të plotë, në përpjekje për të minimizuar rrezikun e infeksionit.

“Ne të gjithë ende nuk e dimë nëse skuadra mund të luajë 90 minuta”, ka thënë Flick që ka nënshkruar kontratë afatgjatë në prill.

“Ne kemi një ndeshje të intenzitetit shumë të lartë të dielën. Por është e qartë se nuk e dimë ku jemi. Ne vetëm duhet të përballemi me këtë dhe të mos lejojmë dyshime. Më shumë se 200 vende do të na shikojnë. Kështu që kemi një audiencë të jashtëzakonshme për ta prezantuar veten. Duam të kemi paraqitje të nivelit më të lartë”, ka theksuar Flick.

Të ngjashme