Trajneri i Çekisë: Muriqi i pandalshëm, nuk dinim çfarë të bënim me të

Prishtinë | 08 Sht 2019 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Republikës së Çekisë, Jaroslav Silhavy, e ka pranuar se skuadra e tij nuk ka pasur përgjigje e as alternativa për ta ndalur sulmuesin më në formë të Kosovës, Vedat Muriqin, në ndeshjen kualifikuese për Euro 2020 të shtunën.

Kosova e mposhti me rikthim 2:1 Çekinë të shtunën në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, falë golave nga Vedat Muriqi dhe Mërgim Vojvoda, pasi Patrick Schick i kishte kaluar vizitorët në epërsi në fillim të takimit.

Përveç golit të barazimit, sulmuesi i Fenerbahçes Muriqi luftoi me shpirt gjatë gjithë takimit, duke fituar topa të shumtë dhe duke e dominuar mbrojtjen mysafire.

Pas ndeshjes, Silhavy e pranoi se 24-vjeçari ishte thjesht i pandalshëm në ditën e tij.

“Për më tepër, sulmuesi Muriqi ishte i pandalshëm, nuk dinim çfarë të bënim me të”, tha Silhavy.

“Kundërshtari luajti me entuziazëm dhe me përkrahje të tifozëve. Ata prisnin gabimet tona, të cilat kanë mundur t’i shfrytëzonin falë lojtarëve të shpejtë”, shtoi ai.

Fitorja e së shtunës pasdite në Prishtinë nënkupton se Kosova tani grumbullon 8 pikë në pozitën e dytë, dy më shumë se rivali i drejtpërdrejt për këtë vend, Çekia, me Anglinë lidere të Grupit A me 9 pikë.

Kosova do të udhëtojë drejt Southamptonit të martën për t’u përballur me Anglinë në St Mary’s stadium në ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2020.

Të ngjashme