Trajneri i Danimarkës: Ndeshja kundër Kosovës do të jetë si stërvitje për ne

Prishtinë | 19 Mar 2019 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i ekipit kombëtar të Danimarkës, Age Hareide, e ka vlerësuar ndeshjen kundër Kosovës si një stërvitje për ekipin e tij, pasi që deklaroi se “Dardanët” janë ekip me rangim më të ulët sesa ekipi i Danimarkës.

Djemtë e Hareides do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore kundër skuadrës së Bernard Challandes të enjten, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ndeshje i paraprin ndeshjeve të vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020.

Por, trajneri i Danimarkës ka bërë të ditur se ai do të kishte preferuar të mos e zhvillonte këtë ndeshje, por të përgatitej me skuadrën e tij për ndeshjen kundër Zvicrës.

Megjithatë, rregullat e UEFA-s e detyruan Danimarkën ta zhvillonte edhe një tjetër ndeshje për këtë muaj dhe pastaj ata ishin detyruar ta gjejnë një kundërshtar tjetër. Sipas Hareides, ata mund të ishin përballur edhe me Gjermaninë, por ajo do të ishte një ndeshje shumë e vështirë për ta.

“Është e kuptueshme se e zgjodhëm një ekip me rangim më të ulët dhe ne do të luajmë me gjashtë zëvendësues. Do të jetë një stërvitje e mirë për ne”, ka thënë Hareide në një intervistë për Ekstra Bladet.

Pas kësaj ndeshjeje kundër Danimarkës, edhe Kosova do ta ketë një përballje më të rëndësishme, atë kundër Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme