Trajneri i Feronikelit zbulon planet për sezonin e ardhshëm

Prishtinë | 25 Maj 2019 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Përkundër që sapo është shpallur  kampion në IPKO Superligën e Kosovës dhe në Kupën, Feronikeli tashmë ka filluar të përgatitet për sezonin e ardhshëm. Trajneri Zekirija Ramadani ka bërë të ditur se dëshiron që skuadra e tij të jetë konkurruese edhe në Evropë sezonin e ardhshëm.

Me triumfet e këtij sezoni, Feronikeli është bërë klubi i dytë më i trofeshëm në Kosovë, pas Prishtinës, me shtatë tituj të fituar në shtatë sezonet e fundit, transmeton Gazeta Express.

Sukseset e arritura këtë sezon bëjnë që Feronikeli të garojë në kualifikime për Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye, skuadra nga Drenasi pritet t’i marrë disa përforcime gjatë afatit kalimtar të verës.

Megjithatë, trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramani, ka bërë të ditur se ka këmbëngulur që ta mbajë themelin e kësaj skuadre edhe për sezonin e ardhshëm, por dëshiron që të arrijë ta bëjë skuadrën e tij konkurruese edhe në Evropë.

“Kam këmbëngulur për ta ruajtur boshtin e ekipit. Natyrisht do të bëjmë një ekip konkurrues edhe për Evropë”, deklaroi Ramadani.

GazetaSheshi raporton se Feronikeli deri më tash ka shprehur interesim për disa futbollistë si Blend Baftiu, Endrit Krasniqi dhe Hamdi Namani.

Ramadani u emërua në pozitën e trajnerit të Feronikelit më 3 shtator të vitit të kaluar. Që nga atëherë, ai i ka zhvilluar 31 ndeshje, prej të cilave 25 i ka fituar dhe i ka marrë dy trofe. /Gazeta Express/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme