Trajneri i Prishtinës po kërkon finalen e tretë dhe triumfin e parë

Prishtinë | 05 Shk 2021 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

Dragan Radoviqi ka fituar titull të kampionit në basketbollin e Kosovës, por trajneri nga Mali i Zi ende nuk ka arritur të triumfojë në Kupën e Kosovës me ekipet që ka udhëhequr. Radoviqi, që vlerësohet lart, është mposhtur në finale të Kupës me skuadrat e tij.

Në vitin 2018, Radoviqi shkroi historinë te Bashkimi pasi e udhëhoqi ekipin nga Prizreni drejt titullit të parë. Po atë vit, por para titullit të kampionit, Radoviqi pati rastin ta fitojë edhe Kupën. Megjithatë, Bashkimi në finale të kësaj gare ishte mposhtur nga Sigal Prishtina (77:74), së cilës iu revanshua në serinë e plejofit për titullin e kampionit. Vitin e shkuar, Radoviqi e udhëhoqi Yllin drejt finales së Kupës së Kosovës, që ishte e para për ekipin nga Suhareka, por pësoi humbje nga Peja (79:64).

Pikërisht Pejën, Radoviqi e mposhti me Sigal Prishtinës në çerekfinalen e Kupës së Kosovës në këtë sezon. Të enjten mbrëma, në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Prishtina triumfoi me rezultatin e ngushtë ndaj Pejës, 90:88. Me këtë fitore, Prishtina u kualifikua në gjysmëfinale ku do të përballet me Ponte Prizrenin, ekip që e mposhti vikendin e shkuar në Prizren në kuadër të Superligës së Kosovës. Radoviqi, që javë më parë u emërua trajner i Prishtinës, po e kërkon finalen e tretë në Kupën e Kosovës brenda katër vjetësh me tri ekipe të ndryshme, dhe triumfin e parë në këtë garë.

Radoviqi për KOHËN ka pranuar se do të kishte dëshirë jo vetëm ta shijonte finalen me Prishtinën, por edhe ta fitonte këtë trofe. Megjithatë, ka thënë se kualifikimi në finale nuk do të jetë aspak i lehtë për shkak se përballë kanë Ponte Prizrenin. Në kampionat, Ponte Prizreni ndan pozitën e parë me Golden Eagle Yllin me nga 32 pikë të mbledhura, shtatë më shumë se Prishtina që është e gjashta. Sigal Prishtina këtë edicion e nisi me triumf në Superkupën e Kosovës dhe po shpreson që vitin e ri ta fillojë me sukses në Kupë.

“Nuk do t’i kthehesha dhe nuk do të doja të mendoj për të kaluarën pasi jam i fokusuar në të tashmen. Është e sigurt se sikurse të gjitha ekipet pjesëmarrëse në Kupë, edhe Prishtina ka dëshirë të madhe ta fitojë këtë trofe. Mund të them se hapin e parë e kemi bërë dhe tash duhet ta bëjmë hapin e dytë, por nuk duhet të harrojmë se përballë kemi një ekip fantastik si Ponte Prizreni”, është shprehur Radoviqi. “Prishtina është ekipi im i tretë në Kosovë dhe si trajner është detyrë e imja që të jap më të mirën nga vetja për ta dërguar ekipin përpara.

Nuk i mendoj shumë trofetë, por thjesht përpiqem të fokusohem në punën time. Natyrisht, trofetë janë të mirëseardhur, por mbetet të shihet se si do të shkojnë gjërat deri në fund”.

“Duhet t’i përgëzoj patjetër basketbollistët për kalimin në gjysmëfinale, sidomos Edmond Azemin dhe Daniel Lekdreajn, të cilët përkundër lëndimit kanë dhënë kontribut të madh në këtë fitore. Ishte një ndeshje e vështirë, por mendoj se patëm një paraqitje të mirë gjatë kohës me të madhe dhe fituam me meritë”, ka shtuar Radoviqi. “Nuk kemi kohë të festojmë dhe të mendojmë për këtë ndeshje pasi duhet menjëherë të rikuperohemi dhe të jemi të gatshëm për ndeshjen tjetër”.

Gjysmëfinalja ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Prishtinës zhvillohet të premten prej orës 19:00. Ngjashëm si Prishtina, edhe Ponte Prizreni nuk e pati aspak të lehtë kualifikimin në gjysmëfinale përkundër që përballë kishte kundërshtar më të lehtë në letër. Vetëm pas vazhdimit prej pesë minutave, Ponte Prizreni arriti ta mposhtë skuadrën e Vëllaznimit me rezultatin 109:106, pasi koha e rregullt përfundoi me shifrat 94:94. Arti Hajdari me 31 pikë të shënuara ishte më i dalluari tek ekipi prizrenas, kurse me lojë të mirë u veçuan edhe Jeremiah Paige (23) e Divine Myles (20). Te Vëllaznimi, Andi Shehu ndeshjen e mbylli me 31 pikë të shënuara derisa Emmanuel Emogbo shtoi 25 pikë e 16 kërcime, por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen.

Në krye të skuadrës gjakovare në këtë ndeshje debutoi trajneri nga Kroacia, Branimir Paviq, i cili u zyrtarizua të mërkurën dhe në këtë post zëvendësoi Ljupço Malinkovin e shkarkuar. Gjysmëfinalja e parë do të nisë në orën 16:00, ku do të përballen Rahoveci me Golden Eagle Yllin. Rahoveci në çerekfinale eliminoi Trepçën, derisa Ylli ishte më i fortë se Bashkimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme