Trajneri i PSG-së pas humbjes në finale: Messi është i mirëseardhur në Paris

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Paris Saint-Germain, Thomas Tuchel, ka thënë se Lionel Messi është shumë i mirëseardhur në klub, edhe pse beson se superylli argjentinas do të mbetet në Barcelonë.

PSG-ja humbi 1:0 kundër Bayern Munich në finale të Ligës së Kampionëve të dielën mbrëma, në një ndeshje goxha të barabartë.

Trajneri gjerman i parisienëve thotë se asnjë trajner nuk mund ta refuzojë gjashtë herë fituesin e Topit të Artë

“Cili trajner mund t’i thotë jo Messit?” tha Tuchel për BT Sport.

“Mendoj se Messi do ta përfundojë karrierën në Barcelonë. Ai është zotëri Barcelona”, shtoi ai.

Thuhet se Messi, i cili është 33 vjeç, asnjëherë nuk ka qenë më afër largimit nga Camp Nou.

Gjiganti spanjoll u largua nga Liga e Kampionëve në mënyrën më të turpshme, duke pësuar disfatë dërrmuese 8:2 në çerekfinale kundër Bayernit.

Messi është golashënuesi më i mirë në historinë e Barcelonës, me 634 gola në 731 ndeshje dhe i ka fituar katër trofe në Ligën e Kampionëve, 10 në La Liga dhe gjashtë herë Topin e Artë.

PSG-ja, që është në pronësi të Katarit, është në mesin e shumë pak klubeve në botën e futbollit që ka kapacitet financiar për ta paguar klauzolën e lirimit të tij, në vlerë 700 milionë euro.

Të ngjashme