Trajneri i rivënieve: Si një njeri ndihmoi Juergen Kloppin ta ndryshojë lojën

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Thomas Gronnemarkut i pëlqejnë shumë rivëniet anësore. Ai një gjë të tillë e ka bërë qëkur ishte djalosh, kur aftësia e tij natyrore për të hedhur topin në distanca të mëdha me duar, tërhoqi vëmendjen e spektatorëve që përcillnin ndeshjet e futbollit nëpër stadiumet e qyteteve të vogla në Danimarkë. Megjithëse ishte një sprinter i nivelit kombëtar, tani 44-vjeçari nuk mund t’i hiqte nga mendja rivëniet këndore.

Ai vendosi që t’i qaset bibliotekës së tij, për të lexuar e mësuar edhe më shumë për interesin e tij të pazakontë – rivënien anësore – vetëm për të zbuluar më shumë sesa që shkruhej nëpër librat e futbollit. Për të, rivënia anësore tashmë ishte shndërruar në synim të hapur, shkruan DW.

“Të gjithë mund të mendojnë se është vetëm një rivënie e thjeshtë anësore, por unë mendoj se prej saj mund të përfitosh dhe të shënosh gol. Po ashtu, edhe nëse kundërshtari e ka topin nga rivënia anësore mund të shënojë. Pra, është shumë e thjeshtë. Rivënia anësore mund të përdoret për të shënuar gol”, insiston Gronnemark.

Një gjë e tillë duket shumë e thjeshtë, por ta bindësh botën shpesh konservatore të futbollit për virtytet e rivënies anësore, pothuajse tërësisht të shpërfillur, nuk ishte e lehtë. Pas telefonatave nëpër disa klube të vendlindjes së tij, Gronnemark filloi stërvitjet e rivënieve anësore tek ekipi i vogël danez, Viborg FF, para se të shkonte te FC Midtjylland, një ekip që u bë sinonim i rivënieve anësore në vitet e fundit, transmeton Koha Ditore.

Suksesi i tij ishte befasues, pasi skuadra elitare e Danimarkës shënoi mesatarisht nëntë ose dhjetë gola brenda një sezoni nga rivëniet anësore të gjata. Për të çuar më tej kredencialet e tij, Gronnemark vendosi që i duhej të praktikonte rivëniet kur ishte futbollist i tillë dhe në vitin 2010 ai e theu rekordin botëror, duke e hedhur topin prej 51.33 metrave.

“Në shikim të parë, puna ime është më e çuditshmja në botë. Trajner i rivënieve anësore”, qeshet Gronnemark. “Nëse jam trajneri i vetëm në botë i rivënieve anësore, atëherë është normale edhe ta mbaj rekordin”.

Suksesi i shpejtë

Një tjetër mision u kompletua, Gronnemark vazhdoi inovacionin e tij të rivënieve taktike që i quan “të shpejta dhe të mençura”, qasje të cilën e stabilizoi te Midtjyllandi.

Deri në këtë kohë, qindra kilometra larg në Liverpool, qasja e danezit ndaj rivënieve anësore kishte tërhequr vëmendjen e Juergen Kloppit, me trajnerin gjerman të irrituar nga paaftësia e ekipit të tij për të mbajtur në pronësi topin nga rivënia këndore dhe paaftësinë për të gjetur vetë zgjidhjen. Gronnemark ishte duke vizituar një dyqan çokollatash në Danimarkë kur ai vuri re një telefonatë të humbur nga kodi telefonik “+44” i Mbretërisë së Bashkuar.

Të ngjashme