Trajneri që u largua nga klubi për shkak se nuk pranoi t’i dënohen lojtarët

Prishtinë | 15 Pri 2019 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Sami Sermaxhaj sot u nda me Ballkanin.

Derisa Ballkani e konfirmoi ndarjen me trajnerin Sami Sermaxhaj, duke e konsideruar si “ndarje me marrëveshje të dyanshme”, trajneri i njohur kosovar thotë diçka më ndryshe.

Ai thotë se shkëputjen e kontratës e ka iniciuar kryesia e klubit të IPKO Superligës për shkak se si trajner nuk ka pranuar t’i dënohen lojtarët.

“Drejtuesit e klubit nuk kanë qenë të kënaqur me ecurinë e rezultateve të fundit, por po ashtu unë pas lojës së fundit nuk jam pajtuar me propozimet e tyre mbi masat disiplinore ndaj lojtarëve, kështu që vendosëm të ndërpresim bashkëpunimin”, ka sqaruar Sermaxhaj.

“Dua të sqaroj që bashkëpunimi është ndërprerë me propozimin e kryesisë, e jo nga ana ime ngase me rastin e prezantimit tim në klub në prezencë të lojtarëve dhe stafit udhëheqës jemi akorduar që objektivi kryesor këtë sezon është mbetja në Superligë, kurse objektiv shtesë Kupa e Kosovës, kështu që KF Ballkani sot nuk është në zonën e barazhit dhe po ashtu i kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës (për herë të parë në histori të klubit) dhe kam qenë i gatshëm të punoj deri në fund të edicionit për realizimin e objektivave të Klubit”, ka theksuar ai duke i uruar punë të mbarë pasardhësit të tij, i cili pritet të jetë Gani Sejdiu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme