Trajneri i ri i Baselit ëndërron Shqipërinë

Prishtinë | 18 Qer 2017 | 14:38 | Nga

Arjan Peço, i emëruar pak kohë më parë trajner i Bazelit U21, fitoi vjet titullin kampion me 18-vjeçarët e skuadrës zvicerane dhe normalisht që kjo e gëzon atë.

Peço ka provuar të luajë me Kombëtaren shqiptare dhe me Dinamon në Superiore, ndërkohë që tregon se te Bazeli ka disa lojtarë shqiptarë, të cilët duhen kontaktuar.

“Te Bazeli janë 4-5 lojtarë me origjinë shqiptare që luajnë edhe me ekipet e moshave të Zvicrës. Ata duhen kontaktuar në mënyrë që të vihen përpara zgjedhjeve. Në drejtim të tyre janë 3 alternativa, Zvicra, Shqipëria dhe Kosova, teksa edhe këtu ka shumë konkurrencë”.

Peço tregon edhe rrugëtimin e tij si trajner, profesion që e nisi si hobi, por sot ka bërë përpara dhe normalisht ka edhe ëndrrat e tij, siç është drejtimi i Kombëtares shqiptare.

“Është një ngjitje logjike nga U-14 deri tek U-21. Nuk e mendoja se do të bëja karrierë si trajner, pasi kur lashë futbollin bëra shkollën e lartë. Fillova një punë të mirë në sistemin e ekonomisë, ndërkohë për hobi mora drejtimin e 14-vjeçarëve të Bazelit. Por tani jam pjesë e 21-vjeçarëve dhe ky është një vlerësim nga ana e klubit, gjithashtu hapi i parë në karrierën time si trajner. Nuk dëshiroj të bëj plane por do të shoh hap pas hapi.”

“Është pak e vështirë të thuash se çfarë ëndrre kam. Njëra do të ishte të bëhesha trajner i parë i Bazelit ose i një ekipi në Superligë. Do të merrja në konsideratë edhe kombëtaret e moshave të Shqipërisë ose ekipin e parë. Megjithatë këto janë vetëm ëndrra, nuk janë plane për të ardhmen.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme