Trepça kërkon fitore në debutimin ndërkombëtar

Prishtinë | 10 Tet 2016 | 08:34 | Nga

Edicionin e nëntë të Ligës Ballkanike në Basketboll (BIBL) e hapin dy skuadra debutuese. Njëra prej tyre është nga Kosova, Trepça e Mitrovicës. Në fakt edicioni 2016/17 është i katërti i Ligës Ballkanike me skuadrat kosovare pjesë të saj.

Në dy edicionet e para garuan vetëm Sigal Prishtina e Peja, në edicionin e kaluar edhe Bashkimi, ndërsa tani kësaj treshe u bashkohet edhe Trepça, shkruan Koha Ditore.

Kjo katërshe njihet edhe si katërshja e madhe e basketbollit kosovar dhe tani, pos për titull të Kosovës, do të garojnë edhe për titullin e Ligës Ballkanike.

Edicioni i ri hapet me ndeshjen që luhet në mes Tiranës e Trepçës, të hënën (sot) nga ora 19:00 në palestrën “Asllan Rusi” në kryeqytetin shqiptar.

Trepça e Tirana janë në grupin B, ku garojnë edhe Peja, Karposh Sokoli e Feni Industries të Maqedonisë dhe Sutjeska e Malit të Zi. Në Grupin A janë Sigal Prishtina e Bashkimi, Beroe e Bullgarisë, Kozhuvi e Kumanova të Maqedonisë dhe Teodo e Malit të Zi. Katër skuadra nga secili grup kalojnë tutje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme