Tri datat e mundshme kur mund të luhet derbi Milan – Inter

Prishtinë | 06 Mar 2018 | 14:28 | Nga

Mediat italiane raportojnë se ekzistojnë tri data të mundshme për zhvillimin e derbit Milan – Inter, por e gjitha do të varet nga përparimi i Juventusit dhe Milanit në garat evropiane.

Ndeshja e së dielës mes Milanit dhe Interit u shty për shkak të vdekjes tragjike të Davide Astorit, si dhe të gjitha ndeshjet tjera të asaj jave në Serie A, por caktimi i një date për derbin po del të jetë problem, transmeton Express.

Derisa ndeshjet tjera do të luhen më 3 dhe 4 prill, Milani do të jetë në aksion në Evropa Ligë atë javë, nëse kalon në çerekfinale.

Sipas Corriere della Sera, derbi mund të luhet të mërkurën më 25 prill, e cila është ditë feste në Itali, por prapëseprapë vetëm nëse Milani nuk shkon në gjysmëfinale të Evropa Ligës.

Po ashtu, ekziston mundësia që derbi të luhet më 9 maj, dhe finalja e Kupës së Italisë të zhvendoset më 25 maj.

Megjithatë, duhet të konsiderohet edhe Juventusi në këtë mes, skuadër e cila përballet me Milanin në finale të Kupës dhe finalja e Ligës së Kampionëve që luhet më 26 maj.

Nëse të dy skuadrat arrijnë në finale të garat e tyre përkatëse në Evropë – finalja e Evropa Ligës është më 16 maj – atëherë derbi mund të luhet më 20 maj, dhe java e 38 në Serie A të shtyhet për të mërkurën pasuese.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme