Tribunat e “Arenës Kombëtare” nisin të marrin formë

Tiranë | 04 Dhj 2017 | 21:40 | Nga

“Arena Kombëtare” në Tiranë po merr formë, madje tashmë kanë nisur të ngrihen edhe tribunat e impiantit. Bëhet fjalë për tribunën karshi, por edhe për atë mbrapa portave në pjesën jugore të stadiumit modern në kryeqytet.

Imazhet tregojnë qartë kolonat e betonit, por edhe skelat e vendosura për ndërtimin e këtyre sektorëve, ndërsa bie në sy edhe prania e shkallëve në këto pjesë të tribunave.

Punimet intensive po vazhdojnë edhe me pjesën e poshtme të stadiumit. Nëntoka, me themelet e impiantit, që do të shërbejë edhe si vend-parkim duket drejt përfundimit.

Punimet kanë nisur edhe në tribunën mbrapa portave në pjesën veriore, edhe pse struktura aty është dukshëm më e ulët se në dy tribunat e tjera, ndërsa kulla e stadiumit është tashmë në katin e 13-të.

E vetmja tribunë ku ende nuk është nisur nga puna është ajo kryesore, me këtë pjesë që do të nisë të ndërtohet në një periudhë të mëvonshme, pasi aktualisht ajo shërben si porta hyrëse për mjetet dhe materialet.

Punimet po ecin me ritmin e duhur dhe impianti më modern në Shqipëri, me kapacitet 22 mijë vende dhe kosto të përllogaritur në 50 milionë euro, pritet të përfundojë sipas parashikimeve në Tetor të vitit 2018.

Të ngjashme