Turkgucu Muenchen po e shkruan historinë për klubet emigrante të futbollit

Prishtinë | 11 Tet 2020 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Arritja në futbollin profesionist e bën Turkgucu Muenchenun klubin më të suksesshëm të emigrantëve në Gjermani. Suksesi i skuadrës ambicioze dhe zhvendosja e identitetit në fushë janë shoqëruar me sfida unike jashtë saj. Të sapoardhurit e divizionit të tretë gjerman, Turkgucu Muenchen tashmë kanë mbledhur disa rezultate që kanë befasuar të gjithë, përfshirë edhe skeptikët.

Të pamposhtur dhe në vendin e gjashtë në tabelë, tri ndeshjet e tyre të para përfshijnë një barazim ndaj kampionit në fuqi, Bayern Muenchen II dhe një fitore dominuese kundër ish-gjigantëve të Bundesligës, Kaiserslauternit. Një formë e tillë e shkëlqyer do të ishte mbresëlënëse për çdo klub të sapo-promovuar, por pavarësisht se ku Turkgucu zbarkon në fund të sezonit, ata tashmë kanë bërë histori. Ky sezon në ligën e tretë të Gjermanisë e bën Turkgucun klubin e parë emigrant të Gjermanisë që luan në nivelin plotësisht profesional.

“Edhe nëse biem nga kjo kategori në fund të sezonit, ne tashmë kemi shkruar historinë për të gjitha klubet emigrante të Gjermanisë”, insiston mesfushori Unal Tosun, i cili është lojtari më besnik i klubit.

Arritja e niveleve historike

E themeluar nga emigrantët turq në vitin 1975, Turkgucu (që do të thotë fuqia turke) është një prej qindra klubeve etnike dhe emigrante në Gjermani. E vetmja nga këto skuadra që i ishte afruar më parë futbollit profesional ishte Turkiyemspor nga Berlini, që nuk arriti të promovohej në vitin 1991. Turkgucu po kalon një valë marramendëse suksesi, duke arritur në kategorinë e tretë pas tri promovimeve rresht. Megjithëse shumë do të ishin të kënaqur me një arritje të tillë, tifozi prej shumë kohësh i klubit, turku Haki, thotë se ai pret që suksesi të vazhdojë edhe më tej. Madje, ai ëndërron që një ditë ekipin e tij të zemrës ta shohë në Bundesligë, e pse jo edhe në Ligën e Kampionëve.

“Qëllimi ynë është që të jemi skuadra e dytë në Muenchen pas Bayernit dhe të luajmë një ditë në Ligën e Kampionëve. Besoj fuqishëm se brenda pak vjetësh Turkgucu do të luajë në Bundesligë”, thotë ai.

Të ngjashme