Turneu i telasheve, boksierët shqiptarë janë bllokuar në Londër

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Në kohën kur të gjitha ngjarjet sportive po anuloheshin për shkak të përhapjes së koronavirusit, në Londër nisi turneu kualifikues olimpik në boks.

Në turneun që filloj më 14 mars, garuan edhe boksierë nga Kosova, Shqipëria si dhe boksieri shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Jasin Lama.

Turneu megjithatë ka sjellë shumë telashe, thuajse për të gjithë pjesëmarrësit e po ashtu për organizatorët. Gjashtë pjesëmarrës në turneun në Londër, tre në Turqi e tre në Kroacia, kanë dalë pozitiv në testimet për koronavirus. Kjo ka bërë që të ketë presion ndaj organizatorit.

Turneu u ndal në gjysmë për shkak të koronavirusit, ndonëse kishte shumë vlerësime se ai as që është dashur të nis. Meçe u organizuan vetëm deri më 16 mars, ndërkohë që situata për shkak të koronavirusit ishte shumë e rëndë tashmë. Sfidë për delegacionet ishte kthimi në shtëpi.

Derisa ekipit të Kosovës iu bë zgjidhje dhe ai u kthye në Prishtinë më 18 mars, në Londër kanë mbetur dy boksierët e Shqipërisë e po ashtu boksierët e Maqedonisë së Veriut. Pos Lamës, Maqedoninë e ka prezantuar edhe një boksier maqedonas.

Vëllezërit Krenar e Rexhildo Zeneli, që janë nga Vlora, kanë udhëtuar për në Londër të vetëm. Për mungesë fondesh, Federata Shqiptare e Boksit nuk ka dërguar trajner apo zyrtar. Udhëtimi për në Londër i vëllezërve Zeneli është bërë me mjetet e tyre. Ata ende janë në Londër, ndërsa kthimi në Shqipëri u është pamundësuar deri më tani.

“Tri herë ua kemi prerë biletat, por ka dështuar kthimi i tyre në atdhe për shkak të situatës që po kalojmë me virusin, ku u pezulluan fluturimet. Kishim edhe një variant nga Maqedonia e Veriut, por edhe ky rast dështoi, pasi duhej të ndaleshin në Sofje dhe ishte e pamundur për ne që t’i merrnim atje”, ka treguar Florend Kalivopulli, president i Federatës Shqiptare të Boksit. Ai ka folur të premten për Panorama Sport.

“Tani jemi në pritje të riatdhesimit të tyre. Janë më shumë se 100 persona që kanë mbetur në Britani të Madhe dhe do të ketë një avion për rikthimin e tyre në Shqipëri”, ka shtuar ai.

Për boksierët e Shqipërisë në Londër janë kujdesur drejtuesit e delegacionit kosovar. Në ring i kanë udhëhequr trajnerët kosovarë. Krenar Zeneli ka humbur në luftën e dytë, ndërsa Rexhildo Zeneli ka fituar luftën e parë dhe ka mbetur në pritje të luftës së dytë.

Ndërkohë Jasin Lama ka humbur përballjen e parë. Edhe ai po pret kthimin në shtëpi. Boksierët e Maqedonisë së Veriut i ka udhëhequr një trajner nga Kuba që tashmë është në shtëpi. Por kthimi i boksierëve nuk ka qenë i mundur deri të premten.

“Jemi duke pritur për kthim në Maqedoni. Po presim që kjo të ndodhë këto ditë. Nuk na kanë treguar saktë, por na kanë thënë se do të jetë një aeroplan çarter. I kemi pasur biletat përmes Stambollit, por nuk na lejuan të udhëtojmë. Kemi provuar përmes Selanikut, por prapë nuk jemi lejuar të fluturojmë. Problemi ishte se aeroporti në Shkup u mbyll dhe se nuk ka pasur linjë direkte nga Londra për në Shkup. Tani po presim. Kushtet janë në rregull, hoteli ku jemi është i mirë”, ka treguar Lama për Koha.net, të premten.

Ndonëse gjashtë zyrtarë që ishin në turne u prekën nga koronavirusi, Jasin Lama ka treguar se atyre nuk u është bërë ndonjë kontroll. Ka thënë se kur të kthehen në Maqedoni do të kontrollohen.

Nuk janë testuar për koronavirus as boksierët e Kosovës, që janë në ditët e fundit të karantinës në konviktet në Prishtinë. Por ata të paktën e zgjodhën shpejtë problemin e kthimit në shtëpi.

Të ngjashme