Tysonit i ofrohen një milion dollarë për një meç ekzibicional në boks me legjendën e ragbit Williams

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Boksierit legjendar të peshës së rëndë Mike Tyson i janë ofruar një milion dollarë për t’u rikthyer në ring dhe boksuar me legjendën e ragbit Sonny Bill Williams, në një meç ekzibicional, shkruan “Daily Mail”.

Tyson 53-vjeçar së fundi ka treguar se planifikon të ngjitet në ring për të luftuar në meçe bamirësie. Ai ka stërvitje për tri javë me trajnerin Rafael Cordeiro.

Cordeiro ka thënë se Tysonit do t’i duhen vetëm pesë muaj për t’u rikthyer në ring e boksuar me cilindo kundërshtar.

Dhe Tyson ka marrë ofertën e parë nga promotori australian Brian Amatruda.

“Do ta organizoja në Melbourne Arena në prani të 10 mijë shikuesve apo në Princes Park ku mund të mblidhen deri në 30 mijë shikues. Ai mund të jetë 53-vjeçar, por ende është emër i madh dhe çdonjëri nga ta Barry Hall, Paul Gallen apo Sonny Bill Williams do ta shfrytëzonin rastin për t’u ngjitur në ring me të. Do ta bëja pjesë e një mbrëmje ku do të ishte ndonjë meç tjetër për titull bote. Do të ishte e madhe. Jo vetëm meçi, por gjithë eventi. Gjëja e parë që kam bërë, kam kontaktuar Max Marksonin dhe i kam thënë t’i ofrojë Tysonit një milion dollarë. Max e solli Tysonin në Australi në vitin 2012”, ka thënë Amatruda.

Bill Williams ka fituar shtatë meçet në boksin profesionist. Ai nuk ka boksuar që nga janari i vitit 2015. Tysoni karrierën në boksin profesionist e ka përfunduar me 50 fitore e gjashtë humbje. Ai mban rekordin si më i riu që ka fituar titull bote në peshën e rëndë në boksin profesionist. E fitoi titullin si 20-vjeçar.

Të ngjashme