Udinese sheh te Behrami një lider të skuadrës

Prishtinë | 17 Gus 2017 | 10:26 | Nga

Mesfushori kosovar, Valon Behrami, është prezantuar të mërkurën te skuadra e Udineses si përforcimi më i ri për edicionin 2017/18 në Serie A.

Klubi italian në sajtin zyrtar ka njoftuar se Behrami është pajtuar me kontratë dyvjeçare dhe mundësinë e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Kontratën me Udinesen mesfushori i Përfaqësueses së Zvicrës do ta firmosë ditëve në vazhdim, pasi të përfundojë kontrollimet mjekësore.

Ai te Udinese është transferuar nga skuadra angleze Watford ku u aktivizua në dy edicionet e fundit. Mesfushori 32-vjeçar tashmë ka zhvilluar disa stërvitje me ekipin e ri dhe gjasat janë të mëdha që të debutojë këtë fundjavë në xhiron e parë të kampionatit italian. Udinese të dielën mbrëma (20:45) luan në shtëpi kundër skuadrës së Chievos. Behrami te Udinese është përshkruar si një përforcim i madh dhe tejet i rëndësishëm për ekipin në edicionin e ri.

“463 ndeshje në karrierë, prej të cilave 224 në Itali; përvojë ndërkombëtare në Premier League, Bundesligë, kupat evropiane dhe reprezentues i rregullt i Zvicrës. 32-vjeçar dhe me një dëshirë të madhe për të qenë sërish vendimtar në ligën tonë: ky është Valon Behrami që tashmë është lojtari më i ri i Udineses”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga skuadra italiane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme