UEFA eliminon rrezikun nga ndeshja e nxehtë Mali i Zi – Kosova

Prishtinë | 27 Pri 2019 | 10:20 | Nga Ekonomia Online

Ndeshja që është pritur të jetë e rrezikshmërisë së lartë pritet të jetë plotësisht e qetë.

Të paktën në tribuna do të jetë e tillë.

Mali i Zi e Kosova do të takohen më 7 qershor në stadiumin e qytetit në Podgoricë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”, ndërsa në tribuna të stadiumit me kapacitet prej 15 mijë ulëseve nuk do të ketë shikues, shkruan sot “Koha Ditore”.

Është Komisioni Disiplinor i UEFA-s, Konfederatës Evropiane të Futbollit, që të premten ka dënuar Malin e Zi që ndeshjen e ardhshme ta luajë pa praninë e shikuesve. Ky vendim erdhi për shkak të fyerjeve raciste të tifozëve të Malit të Zi në ndeshjen e kaluar kualifikuese ndaj Anglisë.

Ndeshja me Kosovën është e ardhshmja për Malin e Zi e po ashtu edhe për “dardanët”. Më 25 mars Mali i Zi pësoi 5:1 në Podgoricë nga Anglia. Disa lojtarë të Anglisë ishin shënjestër e fyerjeve raciste të tifozëve të Malit të Zi. Fyerjet raciste ndaj lojtarëve anglezë bënë bujë dhe UEFA menjëherë hapi rastin. Vendimi përfundimtar është pritur në muajin maj, por Komisioni Disiplinor i UEFA-s e mori të premten.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme