UEFA i ka dhënë ligave afat deri më 25 maj për të dorëzuar planin për rifillim

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Ligave evropiane të futbollit i është dhënë afat nga UEFA deri më 25 maj për të njoftuar për planet e tyre për të rinisur kampionatet vendore, shkruan agjencia Reuters.

Futbolli është pezulluar në shumicën e vendeve të botës shkaku i koronavirusit. Por, UEFA është duke preferuar që të vazhdohen garat për të përfunduar stinori aktual në fushë.

Në një letër dërguar 55 federatave anëtare, presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka shkruar se çdo ligë që dëshiron ta anulojë stinorin duhet të dorëzojë një listë të ekipeve që janë kualifikuar për garat e klubeve në Evropë. Lista po ashtu duhet dorëzuar para 25 majit.

“Federatat Nacionale dhe/apo ligat duhet të jenë në pozitë për t’i kumtuar UEFA-s deri më 25 maj të vitit 2020 planin për rifillimin e garave vendore, përfshirë datën e fillimit dhe formatin e garës. Në rast se gara vendore nuk vazhdohet për arsye që janë legjitime, atëherë UEFA do të kërkojë nga federata nacionale për të shpjeguar deri më 25 maj rrethanat e veçanta që justifikojnë këtë anulim të kampionatit dhe po ashtu të caktohen klubet që do të garojnë në gara të UEFA-s në stinorin 2020/21. Klubet duhet të zgjedhën në bazë të meritave sportive në garat vendore të stinorit 2019/20”, ësahtë shkruar në letrën e Çeferinit.

Derisa ligat e mëdha si Bundesliga, Serie A, La Liga e Premier League po planifikojnë të vazhdojnë, Eredivisie e Holandës ka njoftuar të premten se nuk do të vazhdohet kampionati dhe nuk do të ndahet titulli e po ashtu nuk do të ketë rënie nga liga e as ngjitje në elitë. Ky vendim është kritikuar ashpër nga klubet e prekura dhe janë paralajmëruar edhe padi.

Të ngjashme