UEFA inspekton stadiumin e Prishtinës

Prishtinë | 29 Pri 2017 | 12:41 | Nga

Ministria e Sportit garanton se stadiumi “Adem Jashari” do të rinovohet brenda 45 ditëve, kurse për stadiumin e Prishtinës thotë se do të kryhet deri në muajin shtator. Këto dy objekte të premten i vizitoi inspektori i UEFA-s, Tyrge Borno, i cili ka kërkuar përshpejtim të punimeve, të cilave hovi në kryeqytet u është ndalur prejse kishte ndërhyrë Komuna e Shpend Ahmetit. Kjo e fundit kishte e kërkuar një leje ndërtimi e të cilën Ministria e Sportit e LDK-së as sot e kësaj dite nuk e ka nxjerrë prej Ministrisë së PDK-së. Kështu, inatet politike po e “sakatojnë” interesin nacional, shkruan sot, gazeta Zeri.

Inspektori i UEFA-s për infrastrukturë, Tyrge Borno, të premten e ka vizituar sërish Kosovën, ku i ka inspektuar dy stadiumet më të mëdha të vendit në të cilat kanë filluar punimet rreth rinovimit të tyre – “Adem Jasharin” në Mitrovicë dhe atë të Prishtinës.

Ai edhe para disa javësh pati inspektuar këto dy arena të futbollit, ndërsa ishte larguar i zhgënjyer nga Kosova, për çka i kishte kritikuar ashpër kosovarët që s’kishin bërë asgjë rreth përmirësimit të gjendjes së tyre.

Nga atëherë këto dy stadiume nuk është që kanë përparuar shumë. Kjo pasi procesi i rinovimit të tyre ka ecur shumë ngadalë. Në “Adem Jashari” vetëm sa kanë filluar punimet, kurse në stadiumin e kryeqytetit ditëve të fundit është vërejtur një shtim i intensitetit të punimeve, por kryesisht në pjesën perëndimore, ndërsa pjesët tjera janë shumë larg rregullimit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është bartëse e proceseve të rinovimit të këtyre dy stadiumeve, andaj drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, ka pasur më së shumti muhabete me inspektorin e UEFA-s, në të cilat takime, që kanë zgjatur me orë, kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të kompanive ndërtimore, zyrtarë komunalë, etj.

Vetë Borno nuk është prononcuar për medie, por burimet e “Zërit” kanë bërë të ditur se norvegjezi ka kërkuar nga pala kosovare që t’i përshpejtojnë punimet dhe ato të jenë cilësore, të pranueshme për UEFA-n, për çka ka dhënë këshilla e rekomandime. “Pasi vizituam ‘Adem Jasharin’ ne e vizituam edhe stadiumin e Prishtinës, ku diskutuam rreth progresit të punës dhe rreth implementimit të projektit të kategorisë së katërt të cilin e ka miratuar UEFA”, u shpreh Alaj.

“Unë nuk jam i informuar që inspektori i UEFA-s më moti është ndarë i pakënaqur, por ai diskutoi për çështjet të cilat janë në të mirë të projektit dhe në aspektin e përmbushjes së kritereve e po ashtu për çështjen që Kosova sa më shpejt ta ketë një stadium të kategorisë së katërt dhe një tjetër të kategorisë së dytë”, tha ai.
Ai është i bindur se stadiumi “Adem Jashari” do të rregullohet brenda 45 ditëve, kurse për stadiumin e kryeqytetit tha se do të kryhet deri në muajin shtator.

“Të gjitha përgatitjet dhe punët po bëhen që në shtator ta kemi të gatshëm stadiumin e Prishtinës”, potencoi Alaj, i cili ende nuk e di saktësisht shumën e parave që do të investohen në këtë stadium. “Sa i përket ‘Adem Jasharit’, klubet do të luajnë në këtë stadiumin në momentin që dalin në gara evropiane. Për 45 ditë stadiumi ‘Adem Jashari’ do të jetë i gatshëm”, u shpreh ai.

Punimet në stadiumin e Prishtinës kanë nisur qe disa muaj, por ato kanë ecur me “hapa të breshkës”. Besohet se procesi është politizuar, pasi në të janë përfshirë Ministria e Sportit, që udhëhiqet nga LDK-ja, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që udhëhiqet nga PDK-ja, e po ashtu Komuna që udhëhiqet nga lëvizja “Vetëvendosje”.

Edhe pse është bashkëinvestuese, Inspektorati i Komunës i kishte ndërprerë e para punimet. Institucioni i udhëhequr Shpend Ahmetit kishte identifikuar se punimet po kryheshin pa një leje, të cilën Ministria e Sportit assesi nuk po arrin ta nxjerrë nga ajo që udhëhiqet nga PDK-ja. Nga ajo ndërhyrje e Komunës punimet asnjëherë më nuk kanë shkuar me dinamikë të duhur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme