UEFA javën e ardhshme vendos për fatin e sezonit

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

UEFA ka njoftuar se Komiteti i saj Ekzekutiv do ta mbajë një mbledhje javën e ardhshme për të diskutuar përsëri për mënyrat sesi mund ta përmbyllë sezonin 2019/20, në një kohë krize të shkaktuar nga pandemia koronavirus.

Futbolli në gjithë kontinentin është pezulluar për kohë të pacaktuar si pasojë e Covid-19. Të gjitha ligat kryesore vendore evropiane dhe Liga e Kampionëve e Liga e Evropës kanë pushuar që tash e një muaj, për shkaqe të sigurisë së shëndetit publik.

Ende nuk është gjetur ndonjë zgjidhje sesi të përmbyllet sezoni, apo nëse sezoni të shpallet i pavlefshëm.

Organi qeverisës i futbollit evropian njoftoi se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mbajë një mbledhje online të enjten, më 23 prill, për të diskutuar rreth zhvillimeve më të reja në lidhje me ndikimin e shkaktuar nga koronavirusi në futbollin evropian.

Në mesin e temave të diskutimit do të jetë edhe gjetja e një zgjidhjeje për ta përmbyllur sezonin aktual dhe për mënyrën më të mirë për ta organizuar sezonin 2020/21 në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Të ngjashme