UEFA: Kjo ndeshje e Kategorisë Superiore është e kurdisur

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

“Bombë” nga UEFA, dy klube të tjera të Kategorisë Superiore akuzohen se janë përfshirë në trukimin e ndeshjes së vlefshme për javën e 36-të të kampionatit të kaluar.

Bëhet fjalë për Kukësi-Kastrioti 3-1, e luajtur më 30 maj në fushën asnjanëse të Kamzës.

Pjesa e parë përfundoi 0-1 për krutanët pas golit të Erlis Ymerajt në minutën e 29-të.

Ndërsa në 10 minutat e fundit të lojës, Kukësi arriti të shënonte tre gola, dy herë me Rexhinaldon (80’ dhe 90+1’) dhe një herë me Shkurtajn (85’).

“Panorama Sport” ka zbuluar dje ekskluzivisht raportin konfidencial që UEFA ka dërguar në institucionin e futbollit shqiptar vetëm 24 orë pas zhvillimit të ndeshjes Kukësi-Kastrioti 3-1.

Më 1 qershor UEFA përmes sistemit të monitorimit të basteve BFDS, njoftonte FSHF-në se ka prova të qarta se rezultati i ndeshjes është luajtur në baste për qëllime përfitimi.

Sikur të mos mjaftonte lënia në fuqi e dënimit me 10 vite të Skënderbeut, tashmë futbolli shqiptar vazhdon të damkoset nga historia e trukimeve.

Natyrisht, kjo nuk është e parë që në FSHF vijnë raporte të tilla, sidomos në 10 vitet e fundit, por Komisioni i Etikës nuk ka marrë kurrë vendime konkrete.

(Raporti konfidencial që UEFA i ka dërguar FSHF-së për ndeshjen Kukësi-Kastrioti 3-1).

RAPORTI KONFIDENCIAL

Por çfarë shkruhet në raportin konfidencial të dërguar nga UEFA dhe BFDS në lidhje me ndeshjen.

Gazeta zbulon një pasazh të dokumentit, nga ku sistemi i monitorimit të basteve në Europë dhe Azi ka arritur në konkluzionin se ndeshja ka qenë e trukuar.

“Ekzistojnë prova të qarta dhe mbizotëruese të basteve se drejtimi dhe rezultati i kësaj ndeshjeje ishte përfundimisht i ndikuar me synimin për të fituar baste të korruptuara. Provat e basteve treguan se bastexhinjtë kishin njohuri paraprake për dështimin e Kastriotit për të fituar ndeshjen”, thuhet ndër të tjera në raportin e UEFA-s për ndeshjen e luajtur më 30 maj ora 16:00 në stadiumin e Kamzës, ku Kukësi ishte pritës. 

Të ngjashme