Ukaj, heroi i triumfit të parë të Kosovës në sporte kolektive

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 10:50 | Nga

Dyert për një karrierë më të madhe se që ka bërë deri tash, basketbollistit dy metra i gjatë, Rron Ukaj, i janë hapur dukshëm të dielën mbrëma.

17-vjeçari fitoi epitetin e më të mirit (MVP) në Evropianin e Divizionit C, për grupmoshën U-18, që u organizua në Prishtinë nga 22 deri më 29 korrik, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kosova doli kampione e këtij divizioni, edhe falë performancës së Ukajt. Kosova në finale mposhti Qipron.

Me këtë sukses, Kosova (U18) vitin e ardhshëm do të marrë pjesë në Divizionin B, një nivel më i lartë. Ky triumf, në këtë garë zyrtare, është i pari për Kosovën në sportet kolektive për të gjitha përfaqësueset dhe të gjitha moshat.

Qendra e klubit Peja ishte më i dalluari te Kosova në fazën e grupit, në gjysmëfinale dhe në finale. Ka luajtur me mesatare prej 14.6 pikëve, 12 kërcimeve dhe një asistimi për ndeshje.

Vetë Ukaj pret që çmimi individual që fitoi të dielën mbrëma do t’i hapë rrugë për karrierë më të madhe. Megjithatë, thotë se suksesi kolektiv është më i rëndësishëm për të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme