Ultrasi zgjidhet president i klubit të Hertha Berlinit

Prishtinë | 27 Qer 2022 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e futbollit që një ultras i tifozërisë të zgjidhet president i klubit.

Tani kjo ngjarje u bë të dielën, ku Kay Bernstein, një nga themeluesit e “Harlekins Berlin’98”, një grup tifozerie i Hertha Berlin-it dhe tani pronar i një kompanie mediatike, është zgjedhur këtë të diele si presidenti i ri i klubit.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të asamblesë së përgjithshme, Bernstein mposhti dy kandidatë tjerë, duke mbledhur 1670 vota nga 3040 të mundshme.

Është hera e parë që një ish-anëtar i një grupi ultrasish të futbollit arrin të bëhet presidenti i një klubi dhe mediat në Gjermani raportojnë se Bernstein, 41 vjeç, është përjashtuar nga stadiumi tre herë në të kaluarën.

Pasi u zgjodh president i Hertha-s, Bernstein tha se klubi është në “terapi intensive”. Fitorja e tij si pasardhës i Werner Gegenbauer, i cili u largua nga posti pas 14 vitesh, u festua me gëzim nga tifozët e klubit të Berlinit.

Kujtojmë që kryeqytetasit e Gjermanisë arritën ta shmangin rënien nga elita e futbollit gjerman këtë sezon, duke triumfuar “play-off” kundër Hamburgut.

Pavarësisht se humbi ndeshjen e parë 0:1 në Berlin, Hertha fitoi të dytën me shifrat 0-2 për të vazhduar konkurrimin në Bundesliga.

Të ngjashme