Vajza e artë nga Japonia, sportistja më e mirë e Lojërave të Azisë

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 11:28 | Nga

Notarja japoneze Rikako Ikee është bërë sportistja e parë që është shpallur më e vlefshmja (MVP) në Lojërat e Azisë, që janë mbyllur të dielën.

Tinejxherja fitoi plot gjashtë medalje të arta individuale në pishinë, në ngjarjen e madhe shumësportëshe të mbajtur në Jakarta të Indonezisë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Vetëm qitësi nga Koreja e Veriut, So Gin-man, që fitoi shtatë të arta e një të argjendtë në New Delhi në vitin 1982, ka qenë më i suksesshëm në një edicion të Lojërave të Azisë. Notarja 18-vjeçare ka fituar edhe dy të argjendta në stafetë duke arritur në shifrën e tetë medaljeve gjithsej në Lojërat e Azisë të këtij viti.

Të gjitha gjashtë medaljet e arta ajo i fitoi me kohë rekorde për Lojërat e Azisë dhe arritja e saj është më e jashtëzakonshme pasi erdhi në Jakarta menjëherë pas kampionatit Pan Pacific, ku fitoi një të artë, dy të argjendta dhe një të bronztë.

Ikee, numri i medaljeve të arta të së cilës është më i madhi i fituar nga një sportiste në një edicion të Lojërave të Azisë, ishte zgjedhje unanime për epitetin e sportistes më të vlefshme në Lojërat e Azisë, ka njoftuar të dielën Këshilli Olimpik i Azisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme