“Van Dijku e meriton Topin e Artë”

Prishtinë | 06 Qer 2019 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Jose Fonte i Portugalisë beson se ish-bashkëlojtari i tij, Virgil van Dijk, e meriton ta fitojë Topin e Artë këtë vit, pas një sezoni mbresëlënës të cilin e mbylli me triumfin në Ligën e Kampionëve me Liverpoolin.

Fituesi i EURO 2016, Jose Fonte, kishte luajtur përkrah Virgil van Dijkut mbi 50 herë gjatë viteve 2015-2017, në Southampton. Ai thotë se gjithmonë e ka ditur se holandezi do të bëhet ndër qendërmbrojtësit më të mirë në botë.

“Kam bërë shumë biseda me bashkëlojtarët e mi kudo në botë, përfshirë këtu edhe Cedric Soaresin. Më kujtohet që i kisha thënë: “Dëgjo, jam i sigurt se djalosh do të bëhet njëri ndër mbrojtësit më të mirë në botë”, ka thënë Fonte.

“Kjo është e qartë dhe jo vetëm për mua. Të gjithë mund ta shohin se çfarë shpejtësie ka dhe se sa i fuqishëm është ai. Ai e fiton çdo duel”.

“E vetmja punë që ai duhej ta bënte ishte ta përmirësonte pozicionimin e tij dhe këtë gjë e bëri kur erdhi në Southampton. Ai nuk dilte më jashtë fazës së mbrojtjes me topin aq shpesh, luante thjesht dhe nuk tentonte të driblonte shumë”.

Van Dijku ka qenë mbrojtësi më i mirë në Premierligë që kur u transferua në Liverpool, duke i ndihmuar skuadrës së tij të arrijë në dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve. Fonte është i kënaqur që po e sheh Van Dijkun të shkëlqejë në skenën botërore.

“Kam pak merita për zhvillimin e tij, por kryesori është ai, ai është një talent i mrekullueshëm. Nuk do të habitem nëse ai e fiton Topin e Artë këtë vit. Jam thjesht i kënaqur për të dhe shpresoj që do të vazhdojë me këtë formë”, shtoi Fonte.

“Mendoj se ai ka gjasa ta fitojë Topin e Artë. Ishte lojtari më i mirë i Premierligës këtë sezon dhe e fitoi Ligën e Kampionëve, kështu që pse jo? Nuk gjithmonë ua japim këtë çmim sulmuesve sepse shënojnë shumë gola, por ka ardhur koha që një mbrojtës ta fitojë këtë çmim, apo jo?”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme