Vardy nuk e përjashton rikthimin te Anglia

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 10:25 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Leicester Cityt, Jamie Vardy nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit te përfaqësuesja e Anglisë për Evropianin 2020, nëse sulmuesit kryesorë Harry Kane e Marcus Rashford nuk rikuperohen nga lëndimet.

Mirëpo, Vardy 33-vjeçar thotë se nuk ka biseduar për këtë me seleksionuesin e Anglisë, Gareth Southgate.

Vardy, që është tërhequr nga përfaqësuesja pas Botërorit 2018, është golashënuesi më i mirë në Premier League këtë stinor me 19 gola. Ai realizoi dy herë në fitoren 4:0 të Leicesterit të hënën mbrëma ndaj Aston Villas.

Sulmuesi i Tottenhamit, Kane është duke u rikuperuar pas një operacioni në gju që pati në janar dhe Marcus Rashford i Manchester Unitedit është duke u rikuperuar nga një lëndim i shpinës. Vardy po përmendet si opsion për Evropianin që mbahet në verë.

“Kush e di? Gareth dhe unë jemi pajtuar që dera do të jetë hapur për çfarëdo arsye. Ne do të ulemi dhe do të flasim, në rast se është e nevojshme. Nuk kemi biseduar ende. Kane e Rashford janë jashtë me lëndime, por duket se do të kthehen me kohë. Mirëpo, mbetet të shihet”, ka thënë Vardy për “Sky Sports”.

Vardy ka shënuar shtatë gola në 26 ndeshje me Anglinë.

Seleksionuesi i Anglisë, Southgate javën e kaluar tha se Kane e Rashford pritet të kthehen me kohë, por nuk e ka mbyllur derën për Vardyn.

Mirëpo, Vardy ka pranuar se pas largimit nga përfaqësuesja ka pasur më tepër kohë për t’u rikuperuar.

“Nuk do të gënjej, kam pasur disa ditë shtesë pushim dhe kam qenë në gjendje të largohem nga futbolli në atë periudhë. Ishte mjaft mirë për mua”, ka shtuar Vardy.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme