Vashat kuq e zi mposhtën thellë nga Finlanda

Prishtinë | 03 Sht 2019 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja shqiptare e femrave i nisi me një humbje të thellë në shtëpi eliminatoret e kampionatit Evropian që do të zhvillohet në vitin 2021.

Në Elbasan Arena vajzat kuqezi u mposhtën me rezultatin 0-3 nga Finlanda që tregoi se ka një nivel shumë më të lartë se skuadra e drejtuar nga Vioresin Sinani.

Rrebeshi i shiut që shtyu me 30 minuta fillimin e ndeshjes nuk ndali hovin e vajzave skandinave të cilat zhbllokuan shifrat me Salstron në minutën e nëntë, ndërsa në 26-ën dyfishuan rezultatin me Kolanen.

Salstron vulosi fitoren e Finlandës me golin e tretë të realizuar në minutën e 38-të.

Në pjesën e dytë skuadra mike u kursye ndaj vajzave kuqezi që nuk kishin forcë për të shënuar qoftë edhe një gol.

Finlanda mori tre pikët e para në grupin E aty ku përveç skuadrës skandinave dhe Shqipërisë bëjnë pjesë edhe Skocia, Portugalia e Qipro.

Të ngjashme