Vdes ish-futbollisti i Real Madridit pasi pësoi aksident të rëndë

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Ish-futbollisti kolumbian, Freddy Rincon ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare pas dëmtimeve të rënda në kokë që i pësoi në një aksident me veturë në qytetin e Calit ditë më parë.

Rincon kishte pësuar lëndime të rënda pasi vetura të cilën po e voziste ishte përplasur me një autobus të hënën, njofton “Sky Sport”.

Laureano Quintero, drejtor i spitalit Imbanaco Clinic në Cali ku Rincon ishte duke u trajtuar, ju tha reporterëve: “Përkundër përkushtimit dhe punës së pandalshme të stafit tonë, Freddy Eusebio Rincon Valencia nuk ia doli dot”, theksoi ai.

Rincon dikur ishte mesfushor që luante për ekipet kolumbiane Santa Fe e America de Cali, ndërsa kishte eksperiencë edhe në Evropë, ku kishte luajtur për Napolin dhe Real Madridin.

Rincon gjithashtu e udhëhoqi ekipin brazilian Corinthians në titullin e parë të Botërorit të Klubeve në vitin 2000.

Ai gjithashtu ishte pjesë e gjeneratës së artë të futbollit kolumbian, i cili mori pjesë në tre Botërorë radhazi, më 1990, 1994 e 1998, shkruan “Gazeta Express”.

Rincon i kishte realizuar 17 gola për Kolumbinë dhe ishte njëri prej shënuesve në fitoren 5:0 ndaj Argjentinës në kualifikimet e Botërorit, në ndeshjen e zhvilluar në vitin 1993 në Buenos Aires.

Të ngjashme