Vedat Muriqi flet për të gjitha: Afërsia e Igli Tares, adaptimi në Serie A, e ardhmja dhe Kosova

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi është një nga yjet e futbollit shqiptar, ndërsa kulmin e karrierës e arriti kur nga Fenerbahce kompletoi transferimin e tij te Lazio. Ai edhe përkundër që ka kaluar një vit jo të mirë te klubi italian, ka thënë se nuk do të dorëzohet.

Në një intervistë për “Duelin sportiv” të RTV Dukagjinit, sulmuesi prizrenas ka shfaqur planet e tij për të ardhmen, adaptimin në Itali, ndeshjet e Kosovës dhe lidhjen e fort që e ka me drejtorin sportiv Igli Tare.

“Fillimi ishte problematik, pasi e nisa me dy lëndime, pastaj me COVID-19, por shpresoj që të përgatitem për  vitin e ardhshëm”, ka thënë fillimisht ai.

Tutje Muriqi e ka bërë një krahasim mes futbollit italian dhe atij turk, duke thënë se në Serie A futbolli është shumë më i shpejtë dhe ka ndërprerje më pak.

“Faktikisht në futbollin modern, duhet fuqi dhe vrapime, por edhe taktik. Sa i përket Italisë dhe Turqisë, ka një dallim shumë të madh, sepse në Turqi kishte kohë për të pushuar, kishte ndërprerje më shumë, pastaj edhe VAR merrte kohë më shumë, ndërsa këtu në Itali është shumë loja më e shpejtë edhe taktikisht shumë, shumë me tepër e fortë. Nuk ka shumë vonesa dhe duhet të adaptohem në këtë nivel, është pak problem, por do të filloj të mësohem”, ka thënë Muriqi.

Sulmuesi ka luajtur pak ndeshje deri tani, ndërsa ka shtuar se nuk është i kënaqur me atë që ka treguar në fushë.

“Faktikisht nuk jam shumë i kënaqur,  në radhë të parë, pasi e di se në çfarë skuadre jam dhe çfarë sulmues kam konkurrent, janë yje të botë, por edhe unë i kam aftësitë e mija dhe kur ta kaloj këtë fazë të adaptimit të jem edhe unë një nga ta”.

Te Lazio ai e ka gjetur në skuadër Thomas Strakoshën, ku ka thënë se ai e kanë pritur shumë mirë.

“Me Thomasin kam qenë edhe para tetë, nëntë vite në grumbullim me Shqipërinë U21 dhe njihemi që atëherë. Është shumë djalë i mirë dhe më ka ndihmuar shumë me ambientimin në klub. Sa i përket jetës nuk jam tip që dal shumë, por Roma është qytet historik dhe i bukur”.

“Te Lazio janë të gjithë djem të mirë dhe me kanë pritur dhe më kanë ndihmuar shumë”.

Igli Tare është arsyeja se pse u kompletua transferimi i tij te Lazio, duke thënë se drejtori i kishte thënë edhe nëse të këputet këmba unë do të blej.

“Shpresoj të ia tregoj në fushë. Faktikisht si drejtor sportiv, ka presionet e veta, pasi ka investuar miliona euro. Ai ka dashur të më transferoj dhe i jam falënderues deri në fund. Ishte moment i keq, para se të transferohesha mora një dëmtim, por ai më tha edhe nëse të këputet këmba unë do të blejë. Shpresoj t’ia kthej më të mirën në fushë ”.

Në fund ai u ndal te Kosova dhe mungesa e rezultateve, duke thënë se shumë faktor kanë ndikuar në këtë gjë.

“Nuk mund t’i gjejmë arsyet vetëm te pandemia. Në ndeshjet më të rëndësishme si ndaj Maqedonisë, munguam unë, Amiri, ai tjetri, ai tjetri. Jam ndjerë shumë keq. Ishte diçka e keqe, pasi ka mundur të jetë ndeshja e karrierës. Kemi skuadër të mirë dhe kalojmë shumë mirë mes vete. Duhet vetëm një fitore që të kthehemi”.

“Largimi? Faktikisht janë spekulime. Nuk më ka kontaktuar askush, as agjenti. Unë e dija që do të ishte e vështirë. Nuk e zgjedh vetëm rrugën e lehtë, e zgjedha më të vështirë, pasi të qon te suksesi. Do të provoj sa të kem fuqi të bëjë edhe këtu ”.

Në fund ai ka thënë se i kanë munguar shumë Dardanët në stadium, dhe kjo ishte një nga arsyet e mungesës së rezultateve. 

Të ngjashme