Vedat Muriqi megjithatë mungon në tri ndeshjet e radhës

Prishtinë | 06 Tet 2020 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi edhe pse mori leje nga Lazio për të ardhur te Kosova, ai nuk do të jetë pjesë e kombëtares në 3 ndeshjet e tetorit.

Kjo pasi në testet e bëra sot, del që gjendja fizike e Muriqit nuk është e mirë dhe nuk do të mund të luaj.

Komunikata e plotë e FFK-së:

Përkundër insistimit të madh të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe bashkëpunimit korrekt të klubit të Lazios, Vedat Muriqi megjithatë e ka të pamundshme të paraqitet për Kombëtaren e Kosovës në tri ndeshjet në vijim.

Futbollisti ka pasur sot testet e fundit në klubin e Lazios dhe në kokën e tij gjithçka ishte e qartë që pas këtyre testeve ai do të nisej për Kosovë.

Mirëpo, në testin e fundit u kuptua edhe njëherë definitivisht që nuk ka asnjë gjasë që ai të jetë i gatshëm qoftë për ndeshjen e së enjtes kundër Maqedonisë së Veriut, qoftë për dy ndeshjet pasuese që Kombëtarja jonë i zhvillon në kuadër të Ligës së Kombeve.

Informata që ka rrjedhur në faqen zyrtare të Lazios, se futbollisti do të jetë në grumbullim me Kombëtaren edhe pse është një gabim, e konfirmon që gjithçka ishte planifikuar që Muriqi sot të udhëtojë për Kosovë dhe të jetë me ekipin, mirëpo testet e sotme e treguan qartë se gjendja fizike nuk e lejon atë që në asnjë formë të jetë pranë bashkëlojtarëve të ekipit Kombëtar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme