Vëllaznimi synon fitoren e katërt rresht, këtë herë ndaj Ponte Prizrenit

Prishtinë | 13 Mar 2021 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Pas triumfit ndaj Sigal Prishtinës, Pejës e Rahovecit, KB Vëllaznimi synon ta mposhtë edhe liderin e Superligës së Kosovës në basketboll, Ponte Prizreni, për ta regjistruar fitoren e tretë rresht në kampionat. Dueli ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit zhvillohet të dielën prej orës 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe i takon xhiros së 23 të Superligës së Kosovës në basketboll. Te Vëllaznimi, pranojnë se përballja me Ponte Prizrenin aspak nuk do të jetë e lehtë, por në parket do të dalin me synimin për fitore. Vëllaznimi është i fundit në tabelë me 29 pikë, tetë më pak se Ponte Prizreni që zë vendin e parë. Dy ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë përfunduar me fitore bindëse të Ponte Prizrenit. Megjithatë, tri fitoret e fundit kanë rritur dukshëm besimin te skuadra gjakovare, që është kthyer këtë edicion në elitën e basketbollit kosovar pas tre vjetësh në një rang më të ulët garash. Deri në fund të pjesës së rregullt të këtij sezoni kanë mbetur edhe gjashtë xhiro të pazhvilluara, dhe Vëllaznimi po synon që deri atëherë të largohet nga pozita e fundit në tabelë pasi dëshiron që edhe sezonin tjetër të luajë në elitë. Trajneri i Vëllaznimit, Branimir Paviq, ka thënë për KOHËN se dueli me Ponte Prizrenin do të jetë shumë i vështirë pasi përballet me ekipin favorit për ta fituar titullin e kampionit. Megjithatë, Paviqi ka besim te basketbollistët e tij se do të vazhdojnë me paraqitje të mira sikurse në tri duelet e fundit, të cilat i fituan.

“Natyrisht, dëshira është të fitojmë dhe të vazhdojmë serinë pozitive, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm se përballë kemi liderin e Superligës dhe nuk do të jetë aspak lehtë”, ka pranuar Paviq. “Pres të kemi një paraqitje të mirë dhe të mos dorëzohemi deri në fund. Pra, të jemi të gatshëm ta shfrytëzojmë rastin për ta fituar ndeshjen nëse na jepet mundësia. Ponte ka një ekip të mirë dhe shumë cilësor. Kjo i bën ata favoritë jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në kampionat”.

Ponte Prizreni në këtë takim futet pas fitores që e arriti në udhëtim kundër Golden Eagle Yllit vikendin e shkuar, kurse trajneri Arbnor Rifati ka paralajmëruar se edhe ndaj Vëllaznimit pret rezultat pozitiv për ta forcuar edhe më shumë kreun e tabelës. Rifati ka pranuar se ekipi i tij është favorit.

“Në këtë ndeshje do të futemi për fitore dhe kjo as që diskutohet për shkak se duam ta forcojmë pozitën e parë deri në fund të pjesës së rregullt. Normalisht jemi favoritë, por nuk duhet ta nënçmojmë Vëllaznimin për asnjë moment pas serisë pozitive në tri ndeshjet e fundit”, tha Rifati.

Të dielën, prej orës 17:00, do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Rahovecit dhe Pejës në palestrën “Mizahir Isma”. Peja vjen pas një serie prej katër humbjeve rresht derisa Rahoveci ka një fitore në katër ndeshjet e fundit. Në tabelë Rahoveci është i treti me 35 pikë, një më shumë se Peja që renditet e katërta. Te Peja në këtë ndeshje pritet të kthehet kapiteni Dardan Berisha, që është rikuperuar nga lëndimi, kurse gjasat janë të mëdha që të debutojë edhe qendra Lis Shoshi. Kjo xhiro do të hapet të shtunën me dy përballje. Trepça, që ka regjistruar pesë fitore në pesë ndeshjet e fundit, e pret në palestrën “Minatori” të Mitrovicës skuadrën e Sigal Prishtinës, ndeshje kjo që nis në orën 17:00. Trepça është e gjashta në tabelë me 31 pikë, një më shumë se Prishtina që renditet e parafundit. Ndërsa prej orës 19:00 në Prizren do të përballen Bashkimi dhe Golden Eagle Ylli.

Superliga – 23

E shtunë

Trepça – S. Prishtina (17:00)

Bashkimi – G.E. Ylli (19:00)

E diel

Rahoveci – Peja (17:00)

P. Prizreni – Vëllaznimi (19:00)

1.P. Prizreni 22 37

2. G.E. Ylli 22 36

3. Rahoveci 22 35

4. Peja 22 34

5. Bashkimi 22 32

6. Trepça 22 31

7. S. Prishtina 22 30

8. Vëllaznimi 22 29

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme