Vendimet e UEFA-s për Dritën e Prishtinën, goditje e madhe për futbollin kosovar

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Prishtinës i kanë mjaftuar dy fjali për të paraqitur vendimin e UEFA-s, që vlerësohet goditje e madhe ndaj futbollit kosovar.

“Lincoln – Prishtina, 3:0, rezultat zyrtar. FC Prishtina sapo ka pranuar vendimin zyrtar nga UEFA”.

Kaq shkruan në njoftimin e FC Prishtinës, klubit më të madh në vend, të publikuar në faqen zyrtare në “Facebook”.

Kështu Prishtina përfundon herët edhe një kampanjë evropiane. Këtë herë me rezultat të vendosur në tavolinë, nga autoritetet e Konfederatës Evropiane të Futbollit.

UEFA ka publikuar po të hënën vendimin për ndeshjen Lincoln Red Imps – Prishtina. Vendimi është dukshëm më i gjatë se njoftimi i Prishtinës dhe jep dritë mbi zhvillimet e fundit që janë sqaruar fare pak nga Prishtina e edhe më pak nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Në vendim bëhet e qartë se Prishtina është “viktimë” e qëndrimit të UEFA-s për t’u mbështetur në vlerësimin e autoriteteve shtetërore, nëse ka raste me COVID-19. Në të njëjtin parim ishte dënuar edhe Drita javë më parë.

Në fakt, vendimi për Prishtinën është identik me vendimin e UEFA-s për Dritën. Ndryshon vetëm pjesa ku shkruan se Drita ka luajtur në Ligën e Kampionëve e Prishtina në Ligën e Evropës dhe emri i kundërshtarit. Vendimi i Trupit të Apelit është bazuar në të njëjtën pikë të aneksit të rregullave për edicionin 2020/2021 të Ligës së Kampionëve, përkatësisht Ligës së Evropës.

Ajo pikë e lë në dorë të autoriteteve shtetërore, në rastin e Prishtinës të autoriteteve të Gjibraltarit, që të vendosin nëse lojtarët duhet të karantinohen pas paraqitjes së rasteve pozitive me COVID-19. Me rastin e Prishtinës autoritetet e Gjibraltarit dy herë kanë vendosur për karantinim të lojtarëve të Prishtinës pas rasteve me COVID-19 dhe kështu është pamundësuar zhvillimi i ndeshjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme