Veseli e Gashi vizitojnë KB Prishtina, e përgëzojnë për “sukseset e mëdha në një kohë të shkurtër”

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 20:34 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Sportit, Kujtim Gashi, kanë vizituar klubin e basketbollit “Prishtina” me rastin e kualifikimit historik në garat përfundimtare të FIBA-s.

Me këtë rast Veseli e Gashi premtuan mbështetje për klubin e kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

Kreu i Kuvendit tha se është e jashtëzakonshme që “në një kohë të shkurtër, është arritur një sukses kaq i madh”.

“Ky është një inkurajim për rininë e Kosovës, është një shembull që do ketë sukses jo vetëm në sport por edhe në ekonomi, edhe në politikë. Kjo na bën të barabartë me të gjithë popujt e tjerë, për të mos thënë edhe më të suksesshëm se popujt e tjerë”, u shpreh Veseli.

“Duhet me ju përmend juve, Majlindën dhe kolegët e vet, të cilët për një kohë të shkurtër na dhanë suksese kaq të jashtëzakonshme”.

“Jua jap fjalën që do të ju përkrahim. Arrini suksese, na bëni neve krenarë! Ehe mysafirët që janë këtu e dinë që ne jemi shumë mikpritës. Bëhuni kosovarë dhe rrini këtu”, u shpreh Veseli.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, po ashtu uroi klubin prishtinas për të gjitha sukseset e arritura. “Çdo ditë po na bëni krenarë me lojë. Jam shumë i lumtur që në mesin e këtij ekipi ka një udhëheqësi shumë të konsoliduar”, tha ministri.

Ai tha se në MKRS pëunojnë nmë baza ditore për të mbështetur klubet. “Jemi të vetëdijshëm që nuk janë kushtet infrastrukturore aq të mira, por do të bëjmë zgjidhje të shpejta; do të jemi bashkë në rrugëtimin drejt këtij kualifikimit”.

“Ne si Ministri do t’ju japim mbështetje të fuqishme”, deklaroi kreu i MKRS-së.

Kapiteni i “Z Mobile Prishtina”, Edmond Azemi, tha se Kosova ka shumë talentë e fëmijë që në të ardhmen ndoshta do të jenë yje të basketbollit, jo vetëm të Kosovës por edhe të Evropës.

“Por me këto kushte do jetë shumë vështirë… Kërkesat janë shumë të mëdha, palestrat duhet të jenë më të mëdha. Besoj që do t’i mbani premtimet dhe shpresoj që ato do realizohen”, tha Azemi.

Të ngjashme