Vështirë për Kosovën, Norvegjia pret lojë të njëjtë si me Armeninë që e mposhti 10:0

Prishtinë | 21 Sht 2021 | 12:00 | Nga Ekonomia Online

“Dardanet” sonte në “Fadil Vokrri” e zhvillojnë ndeshjen e dytë kualifikuese për Botërorin 2023.

Kombëtarja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave sonte do ta zhvillojë ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror që mbahet në vitin 2023.

Skuadra jonë këtë kampanjë kualifikuese e ka nisur me një barazim në Shqipëri, kurse sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta pres favoriten e madhe të grupit, Norvegjinë, shkruan Gazeta Express.

Norvegjezet para pak ditësh e mposhtën Armeninë me rezultat 10:0, duke e treguar forcën e madhe të tyre.

Përkundër kësaj, vashat kosovare janë të gatshme për përballjen e sontme, në të cilën ndeshje nuk do të hyjnë për të zhvilluar lojë sulmuese sikurse në Shqipëri, pasi cilësia e Norvegjisë imponon kujdes të shtuar në fazën e mbrojtjes.

Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë përzgjedhësja Afërdita Fazlija.

“Ne luajmë futboll të bukur dhe të hapur, por ndaj Norvegjisë duhet të luajmë lojë defanzive me sistemin, 5-4-1. Norvegjia ka përgatitje të mirë fizike, por edhe e qarkullon shumë mirë topin. Megjithatë, ne e kemi analizuar lojën e kundërshtarit dhe besoj se do të bëjmë paraqitje të mirë. Fitorja bindëse e tyre ndaj Armenisë nuk na tremb. Do të mundohemi që me lojë të disiplinuar ta neutralizojmë kundërshtarin”, ka thënë ndër të tjera Afërdita Fazlija.

Në anën tjetër, Norvegjia pret që ndeshja me Kosovën të jetë e njëjtë sikurse ajo me Armeninën, të cilës i kanë shkaktuar debakël, 10:0.

“Pritjet nga ne janë më të mëdha tani. Nëse duam të kemi paraqitje të njëjtë si me Armeninë duhet të kemi dëshirë të madhe për të zhvilluar lojë sulmuese”, ka thënë selektori i Norvegjisë, Martin Sjoegren.

Ndeshja Kosovë – Norvegji, zhvillohet prej orës 19:00. Kosova po e zhvillon kampanjën e tretë kualifikuese pas anëtarësimit në UEFA e FIFA. Humbjet më të thella të pësuara janë 5:0 nga Rusia e Sllovenia dhe 6:0 nga Holanda. Kosova besohet se nga këto humbje ka marrë mësim e përvojë dhe vërehet një ngritje pas çdo ndeshje. Së fundmi Kosova barazoi me Shqipërinë 1:1, në ndeshjen e parë të kësaj kampanje.

Të ngjashme