Vështirësitë e Zozulias në futbollin spanjoll

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Futbollisti ukrainas që u quajt “Nazist” nga tifozët gjatë ndeshjes së Kategorisë së Dytë të Spanjës ishte shënjestruar nga tifozët edhe stinorin e kaluar.

Sulmuesi i Albacetes, Roman Zozulia, kishte qenë shënjestër e tifozëve kundërshtarë edhe gjatë ndeshjes kundër Deportivo Lugos në fund të stinorit të kaluar, të cilët bënin thirrje për vdekjen e tij.

Ndeshja e së dielës mes Albacetes dhe Rayo Vallecanos ishte ndërprerë në fund të pjesës së parë, pasi që tifozët kundërshtarë përdorën gjuhë fyese ndaj Zozulias dhe po ashtu shfaqnin edhe pano. Liga spanjolle ka njoftuar se dy skuadrat kërkuan që referi të ndërpresë lojën. Ndeshja ishte 0:0 deri në atë moment, shkruan sot Koha Ditore.

Në ndeshjen ndaj Deportivo Lugos në mars, tifozët e Lugos vazhdimisht bërtisnin “Vdis, Zozulia”. Liga spanjolle kishte raportuar ato thirrje te Federata e Futbollit të Spanjës.

Kishte raportime edhe në ndeshjet e tjera ku sulmuesi ishte fyer nga tifozët e klubeve spanjolle.

Zozulia kishte bërë bujë në Spanjë në fillim të vitit 2017, kur huazimi i tij nga Real Betisi për te Rayo Vallecano u desh të ndërpritej, për shkak të protestave nga tifozët e Rayos që akuzuan lojtarin se ka lidhje me grupet radikale në vendlindjen e tij. Zozulia gjithmonë ka mohuar kategorikisht këto lidhje.

Të ngjashme