Vidali e lavdëron Messin: Ai është nga një tjetër planet

Prishtinë | 30 Tet 2019 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Barcelonës, Arturo Vidal, e ka lavdëruar kapitenin Lionel Messi duke thënë se ai vjen nga një planet tjetër, pasi argjentinasi ishte mbresëlënës në fitoren me rezultat 5:1 të katalonasve kundër Real Valladolidit.

Lionel Messi e pati një paraqitje mbresëlënëse mbrëmjen e së martës, me dy gola të shënuar dhe një asist, përderisa kampioni në fuqi Barcelona u ngrit në kreun e tabelës së La Ligës.

Kapiteni i Barcelonës Messi e asistoi golin e Arturo Vidalit me një pasim të shkëlqyeshëm para se ta shënonte në mënyrë të jashtëzakonshme një gjuajtje të lirë – të 50-tën për të në karrierë me Barcelonën dhe Argjentinën – para se të përfundonte pjesa e parë në Camp Nou.

Messi e shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes pas pjesës së parë dhe pesë-herë fituesi i Topit të Artë pati rol vendimtar edhe në golin e Luis Suarezit. Me anë të ndihmës së argjentinasit, Barcelona u ngrit mbi Granadan dhe Atletico Madridin në tabelës e ligës elitare të futbollit spanjoll.

“Leo e bën dallimin për ne kur e shfaq cilësinë e vet. Kur ai është në këtë formë, skuadra e ndien. Ne e shohim atë çdo ditë, por ai na befason prapëseprapë çdo ditë. Leo është nga një tjetër planet”, ka thënë Vidal për Movistar+.

“Ne jemi të lumtur, ne fituam dhe skuadra po ndihet shumë mirë. Nuk ka fjalë me të cilat mund ta përshkruajë Leon. Ai është një epërsi e madhe për ne dhe ne e shfrytëzojmë në maksimum këtë”.

Barcelona është dy pikë përpara Granadas dhe Atletico Madridit, mirëpo Barcelona dhe Real Madridi e kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar, për shkak se El Clasico që ishte dashur të zhvillohej në xhiron e kaluar është shtyrë për 18 dhjetor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme