Visar Bekaj, ‘muri’ i FC Prishtinës

Prishtinë | 05 Dhj 2018 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Shumë pak kanë dyshuar që Visar Bekaj është njëri nga portierët më të mirë në Kosovë në vitet e fundit.

Por ky edicion bërë që të gjithë ta rikthejnë kokën nga ai, pasi për ta kujtuar golin e fundit që e ka pranuar, duhet të kthehemi me 6 tetor.

Kjo ndodhi në javës së 9 të IPKO Superligës ku Prishtina e kishte mposhtur Llapin me rezultat 2-1.

Që nga atëherë, kanë kaluar edhe tetë javë të tjera dhe porta e Bekajt nuk është tundur më.

Bekaj është mposhtur vetëm katër herë në 17 ndeshje, ndërsa të katër golat i ka pranuar në ndeshje të ndryshime.

Lojtarët që kanë shënuar në portën e Bekajt janë Blend Baftiu, Getoar Dragusha, Arbër Shala dhe Behar Maliqi, tre prej tyre ish lojtar të klubit bardhëekaltër.

Nuk mbahet mend që një skuadër, apo një portier të ketë pësuar më pak gola gjatë tërë stinorit vjeshtor.

Janë 13 ndeshje që portieri 21 vjeçar e ka mbajtur portën e paprekur, ndërsa nuk është llogaritur as sfida pa gola në Kupë  me Drenicën.

21-vjeçari është edhe pjesë e Kombëtares së Kosovës, por ende nuk ka debutuar, edhe pse ka bërë disa paraqitje shumë të mira me Kosovën U-21.

Për paraqitjet e tij në këtë edicion në fundjavë fjalë të mëdha kanë dhënë njohës të futbollit kosovar, si Bylbyl Sokoli, Ismet Munishi e Erdin Hashani.
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme