Vit i shkurtër në Evropë për Feronikelin e Prishtinën

Prishtinë | 01 Jan 2020 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Në vitin 2019 Feronikeli dhe Prishtina patën aventura të shkurtra në Evropë

Viti 2019 ishte fatlum për Feronikelin, i cili arriti të bëhet klubi i dytë më i trofeshme në Kosovë, pas Prishtinës, duke e tejkaluar Besën, shkruan Gazeta Express.

Nikli në sezonin e kaluar e fitoi titullin e kampionit të Kosovës dhe Kupën e Kosovës duke e pasuruar historinë e vet me tre tituj dhe tri Kupa.

Skuadra gjelbër e bardh titullin e kampionit e siguroi në gjiron e fundit të kampionatit me një fitore ndaj Prishtinës, e cila ishte në garë deri në fund për këtë trofe, i cili mbeti në Drenas.

Ndërkohë, në finale të Kupës Feronikeli e mposhti Trepçën ’89, duke e kompletuar një sukses të madh.

Këto rezultate bën që Feronikeli të shkojë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, kurse triumfi i tij në finale të Kupës ia pamundësoi Trepçës ’89 të shkojë në Ligën e Evropës, duke e kualifikuar Prishtinën si nënkampione.

Pjesëmarrja në gara evropiane u është shpërblyer me para të majme Prishtinës, e sidomos Feronikelit. Por jo edhe me rezultate.

Në parakualifikimet e Ligës së Evropës kryeqytetasit u eliminuan nga kundërshtari i parë, ST Joseph’s.

Ndeshja e parë në mes tyre në Prishtinë përfundoi baras, 1:1.

Kurse, në Gjibraltar nënkampioni e Kosovës humbi me rezultat 2:0 duke u pajtuar me eliminim të hershëm.

Ndërsa, aventura e Feronikelit në Evropë ishte pak më e gjatë. Fillimisht u paraqit në kompetecionin e Ligës së Kampionëve.

Në parakualifikime e mposhti Lincolnin në dy ndeshje me rezultat të përgjithshëm, 3:1.

Por, u eliminua në kualifikime nga kundërshtari i parë, ekipi uellsian, TNS, me rezultat të përgjithshëm nga dy ndeshjeve, 3:2.

Pastaj, Feronikeli zbriti në kualifikimet e Ligës së Evropës, ku po ashtu u eliminua nga kundërshtari i parë.

Slovan Bratislava fitoi me rezultat të përgjithshëm, 4:1, nga dy ndeshjet me Feronikelin.

Ndërsa, kampionati i ri ka nisur me befasinë e madhe të Ballkanit, i cili ka shkuar në pushim dimëror si kampion vjeshtor.

Në vitin 2020 ekipi nga Suhareka do të vazhdojë ta kërkojë titullin përkundër rivalitetit të madh që po ia bëjnë Drita, Gjilani dhe Prishtina. /Gazeta Express/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme