Vitesses i është dashur të luftojë shumë për Brojën

Prishtinë | 22 Mar 2021 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Drejtori sportiv i Vitesses, Johannes Spors ka mohuar se klubi holandez është “filiale” e Chelseat. Ai ka thënë se Vitesse me Chelsean ka vetëm “raporte të mira”.

Chelsea ka dërguar në huazim plot 29 lojtarë te klubi holandez në dekadën e fundit, duke përfshirë reprezentuesin e Anglisë, Mason Mount. Shkëmbimet e vazhdueshme kanë krijuar idenë që Vitesse është klub ku gjiganti i Premier Leagues zhvillon lojtarët e tij. Por Spors ka insistuar se Vitesse po përfiton nga fakti që pronari i klubit, rusi Valeriy Oyf, ka raporte të mira me pronarin e Chelseat, Roman Abramovich.

Një prej lojtarëve që ka shpërthyer te Vitesse pas huazimit nga Chelsea është reprezentuesi i Shqipërisë, Armando Broja. Broja këtë edicion ka realizuar nëntë gola në Eredivisie të Holandës në 23 paraqitje. Ka edhe një gol për Kupë. Në qershor Broja 19-vjeçar do të kthehet te Chelsea, natyrisht si lojtar dukshëm më i kompletuar.

“Vërtetë është dashur të luftoj për Armando Brojën. Nuk ishte se unë kam dashur Brojën dhe Chelsea më ka thënë ‘urdhëro, ja ku e ke’. Jo, vërtetë më është dashur ta bind atë. Nëse ai do të thoshte jo, do të mbetej jo. Është dashur të bind edhe Chelsean. Është marrëdhënie e mirë. Asgjë nuk ndodh për shkak të pronarëve, por le të themi se ata hapin dyert”, ka theksuar Johannes Spors për “goal.com”.

Broja është bërë lojtari i 29-të i Chelseat i huazuar te Vitesse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme